Vendosni fjalën kyçe....

19 vjet nga tragjedia e ‘9 Janarit’, Familjarët: Hetimi pengohet qëllimisht nga politikanët


19 vite pas tragjedisë së “9 janarit” familjarët ende vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për 28 jetët e humbura në det.

Familljarët bënë fajtore Prokurorinë që nuk e ka çuar çështjen në gjykatë dhe se SPAK nuk po e heton sepse sipas tyre pengohet qëllimisht nga politikanët .

“Nuk na kanë dhënë, e nuk na japin drejtësi! Aq sa punojmë ne për zbardhjen e ngjarjes, aq punojnë ata kriminel të veshur me pushtet që bëjnë punën e vet që të mos zbardhet. Fajin e ka prokuroria, se çështja penale asnjëherë s’ka kaluar në gjykatë. Nëse zbardhet, deputetë e ministra përfundojnë në burg!”, u shpreh Nikolle Mhilli anëtar i shoqatës “9 Janari” për mediat.

Çështja nuk është hetuar, ndaj dy vite më parë, shoqata “9 janari” dorëzoi padinë në SPAK me shpresë tek strukturat e reja të drejtësisë. Por tashmë kanë marrë një përgjigje negative.

“Ne i jemi drejtuar dhe SPAK dhe ata kanë kthyer përgjigje se kanë kaluar afatet ligjore për hetim. Unë s’jam jurist, por afatet ligjore për vdekjen e njerëzve nuk kalojnë asnjëherë”, vijon ai.

“SPAK ka hapësirë ligjore, pa u kap tek afatet, për të ripahur hetimet”, thekson avokati i shoqatës, Dodë Mehmetaj.

28 shqiptarë, pjesa më e madhe e tyre nga qarku i Shkodrës u mbytën në detin e trazuar më 9 janar të 2004-ës, teksa kishin ndërmarrë lundrimin me gomone drejt Italisë. 18 burra e 3 gra u gjenden të pajetë mëngjesin 10 Janarit, 8 persona rezultojnë të zhdukur, njëmbëdhjetë të tjerët mundën të shpëtonin, mes tyre dhe skafistët.