Vendosni fjalën kyçe....

Eksperti Karamuço pohon për mediat se pastruesja Dobi i vodhi unazën e martesës


Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, është një nga personat që ka rënë pre e pastrueses Rozeta Dobi.

Ai ka pohuar sot se nga banesa i është vjedhur unaza e martësës, gjë të cilën e kishte denoncuar në polici.

“Pastruesja ka ardhur rreth 6 muaj në shtëpinë tonë, por jo rregullisht. Pas një periudhe kohe vumë re që unaza e martesës nuk ndodhej në shtëpi, ishte vjedhur. Kam bërë denoncim në polici dhe së fundmi jemi kontaktuar që unaza është vjedhur. Sendin e kemi njohur sepse ka një dedikim “Ervinit me dashuri.” – ka deklaruar ai për BW.

Karamuço është shfaqur së fundmi në të paktën dy emisione televizive duke analizuar grabitjen e ndodhur në banesën e Alda Klosit, ish-shefes së kabinetit të Arben Ahmetajt.

Karamuço shfaqet në media me statusin e ekspertit të pavarur por ngjarja e fundit ka zbuluar disa aspekte interesante lidhur me konfliktin e interesit. Ai rezulton se ka lidhje krushqie me Ahmetajn (gruaja e tij dhe gruaja e Ahmetajt janë vajza tezesh) dhe se ka rënë pre e vjedhjes nga pastruesja Rozeta Dobi.

Ndërsa është shfaqur me statusin e ekspertit të pavarur dhe profesionistit të paanshëm në media, duke analizuar edhe ngjarjen e fundit, ai nuk ka bërë të ditura lidhjet personale me ngjarjen, duke qenë se është vetë viktime e grabitjes nga i njëjti person që ka grabitur edhe banesën e ish-sekretares së krushkut.

Gjatë denoncimit në polici, çifti Karamuço ka pohuar se u janë vjedhur bizhu po jo para, gjë të cilën e ka pohuar edhe në deklaratën e sotme për BW.