Vendosni fjalën kyçe....

Kina s’do lejojë ‘lojëra gjeopolitike’ në Azi-Paqësor – Diplomati


Pekini nuk do lejojë që rajoni Azi-Paqësor të kthehet në një pikë të nxehtë për konflikt gjeopolitik dhe do mbrojë sovranitetin dhe integritetin e tij, deklaroi një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze.

Duke folur në një konferencë për shtyp, Wang Wenbin iu përgjigj lajmit për mbërritjen e një delegacioni gjerman prej 10 anëtarësh në ishullin vetëqeverisës të Tajvanit. Ai theksoi se ‘çështja e Tajvanit është në thelbin e interesave të Kinës’ dhe i kërkoi Berlinit të respektojë parimin ‘Një Kinë’, duke pranuar se Tajvani është një pjesë e patjetërsueshme e kombit.

Pekini e konsideron çdo trajtim të ishullit si një komb sovran, duke përfshirë vizitat zyrtare nga zyrtarët e huaj, si një ofendim të drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit të tij.

Wang tha se ‘shkaku kryesor’ i tensioneve historike midis Tajvanit dhe Kinës ishte ‘ligji i xhunglës, hegjemonizmi, kolonializmi dhe militarizmi’, të cilat i kishin shkaktuar ‘vuajtje të thella’ Kinës për shumë vite.

“Populli kinez ka qenë i përkushtuar të luftojë imperializmin, hegjemonizmin dhe kolonializmin dhe të ruajë sovranitetin, integritetin territorial dhe dinjitetin tonë kombëtar. Ne kurrë nuk do lejojmë asnjë forcë që ta kthejë Azi-Paqësorin në një arenë lojërash gjeopolitike.” – paralajmëroi diplomati.

Tajvani nuk ka shpallur kurrë zyrtarisht pavarësinë nga Pekini, por ka qenë i vetëqeverisur që nga fundi i Luftës Civile Kineze në 1949, kur nacionalistët që luftonin nën Kuomintang u mundën nga forcat komuniste dhe u larguan në ishull.

Ndërsa marrëdhëniet midis Pekinit dhe Taipeit kanë qenë gjithmonë të tensionuara, tensionet u rritën pas vizitës së kryetares së Kongresit amerikan Nancy Pelosi në ishull në gusht.

Kina ka paralajmëruar vazhdimisht se do përdorë çdo mjet të nevojshëm për të vendosur kontrollin e plotë mbi ishullin, por ka këmbëngulur se do kërkojë një zgjidhje diplomatike.