Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj paralajmëroi se qeveria ka hyrë në një proces vendimmarrje për shkrirjen e Bordit të Transparencës për karburantet.
Ajo tha se nuk dihet data e saktë se kur mund të shfuqizohet bordi por që diskutimet kanë filluar.
“Kemi diskutuar për shfuqizimin e bordit të karburanteve. Tashmë jemi në një situatë ku çmimet e karburanteve kanë krijuar një destabilitet dhe tashmë jemi në një proces të vendimmarrjes për pezullimin e aktivitetit të bordeve. Arsyeja pse bordet u ngritën ishte vetëm një, të limitoheshin fitimet për një çmim sa më të ulët për konsumatorët. Ne tashmë do të vijojmë mbikëqyrjen e këtyre çmimeve me qëllim eliminimin e spekulimeve që mund të bëhen me çmimet. Nuk kemi ende një datë, por kemi filluar diskutimet për shfuqizimin”-deklaroi Ibrahimaj në Abc News.