Vendosni fjalën kyçe....

2016-2020, qeveria ka investuar në rrugë 830 mln euro, por dendësia e rrjetit rrugor ka rënë


Ministria e Transportit raportoi se gjatë katër viteve 2016-2020 ka investuar në infrastrukturën rrugore rreth 830 milionë euro, por të dhënat e reja të INSTAT, të cilat u publikuan në një raport për transportin, tregojnë se densiteti i rrjetit rrugor për kilometër katror në vend ka rënë.

Me gjithë investimet në rritje në infrastrukturën rrugore, Shqipëria renditet si vendi me dendësinë më të ulët të rrjetit rrugor në Rajon.

Sipas INSTAT në vitin 2021 dendësia e rrugëve ishte 12,5 kilometër për 100 kilometër katror. Në vitin 2021 ky tregues ishte 12.8 kilometër për 100 kilometër katror dhe në vitin 2019 ishte 12,9 kilometër katror. Siç tregojnë të dhënat me gjithë përqendrimin e lartë të investimeve në rrugë dendësia e rrjetit rrugor në vitin 2021 ka rënë.

Gjithashtu INSTAT raportoi si vetëm një masë e vogël e rrugëve të inventarizuara ishin të shfrytëzueshme në vitin 2021.

Rrjeti rrugor i Shqipërisë, përfshirë rrugët interurbane kryesore, rrugët interurbane dytësore dhe ato urbane përbëhet prej rreth 18.600 km, nga të cilat rreth 1500 kilometër janë akse kombëtare, pos sipas INSTAT vetëm gjatësia e rrjetit rrugor në shfrytëzim në vitin 2021 ishte vetëm 3606 km, sipas kategorive të ndryshme, si autostradë, rrugë interurbane apo urbane dhe rrugë lokale.

Sipas klasifikimit të INSTAT bazuar në kodin rrugor Shqipëria në vitin 2021 kishte vetëm 24.7 kilometër autostradë, 260 kilometër rrugë interurbane kryesore, 2675 kilometër rrugë interurbane dytësore, 9.6 kilometër rrugë urbane kryesore, 48.5 kilometër rrugë urbane dytësore dhe 597 kilometër rrugë lokale.

Shqipëria renditet si vendi me dendësinë më të ulët të rrjetit të transportit rrugor në Europë edhe më të dhënat e Eurostat.

Bashkimi Europian numëron rreth 900 metër rrugë për kilometër katror.

Këto 10 vitet e fundit, Shqipëria ka bërë investime shumë të rëndësishme për ndërtimin segmenteve kryesore të Rrjetit Rrugor Kombëtar Shqiptar. Plani Kombëtar i Transportit parashikon përfundimin e ndërtimit të rrjetit kombëtar të rrugëve, duke përfshirë arterie strategjike si Autostrada Veri-Jug

Sipas një inspektimi të rrjetit kombëtar rrugor që u mbikëqyr nga Banka Botërore në vitin 2019 mbi 558 kilometra ose 41 për qind e rrugëve kombëtare në vend janë në gjendje shumë të keqe./B.Hoxha

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor