Vendosni fjalën kyçe....

Caka: Transporti urban në gjendje katastrofale, Veliaj 10 vjet mashtrime. Më 14 maj ta largojmë bashkë me patronazhistët


Partia e Lirisë ka denoncuar gjendjen e transportit publik në Tiranë.

Në një deklaratë për mediat Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun Silva Caka tha se pavarësisht premtimeve të kryebashkiakut Veliaj, gjendja prej 10 vitesh vijon të jetë e njëjta duke ua vështirësuar mjaft lëvizjen qytetarëve.

“Mijëra qytetarë të Tiranës përballen çdo ditë, nga mëngjesi deri në darkë vonë, me plagën e një transporti publik inefiçent dhe primitiv, që ua rëndon së tepërmi përditshmërinë e tyre. Kanë kaluar 10 vite dhe megjithë premtimet dhe kronikat pafund mashtruese të Erion Veliajt, situata vazhdon të jetë po e njëjta. Çdo ditë në mëngjes, mijëra qytetarë ngjeshen nëpër autobuza dhe mijëra të tjerë presin për një kohë të gjatë në stacion, ardhjen e autobuzave. Mosrespektimi i orareve dhe mosndalimi në stacione i autobuzave, është bërë e zakonshme dhe këto pasoja i heqin qytetarët. Pothuajse të gjitha linjat urbane të Tiranës kanë paraqitur të njëjtat probleme dhe Bashkia e Tiranës, në mënyrë të paturp, bën sikur i gjobit me nga 3 mijë apo 5 mijë lekë të reja, ndërkohë që këto linja kanë të bëjnë me komunikimin e qytetarëve me çdo pjesë të Tiranës. Janë gjobitur për shembull: Kompania “Green Line” për linjën e unazës, “Tirana Urban Trans” për linjën e Porcelanit, “Remi Trans” për linjën Tiranë-Vorë, “Diamond Society” për linjën Selitë-Kristal-Stacioni i Trenit, “Gerard – A” linja Fushë e Aviacionit – Materniteti i Ri, “Tirana Bus” për linjën e Saukut dhe “Mag Utilities” për linjën Sauk-Kopshti Zoologjik – Stacioni i Trenit.”­ – tha Caka.

Ajo shtoi se shumë zona në Tiranë, që varen krejtësisht prej transportit publik janë izoluar me gjendjen në të cilën ndodhet ai, teksa u duhet të presin me orare të zgjatura e të udhëtojnë në urbanë të tejmbushur, duke u izoluar.

“Zgjerimi i kryeqytetit në disa zona urbane të mëdha e me dëndësi të lartë dhe me distancë nga qendra, bën realisht të pamundur transportin e qytetarëve, qoftë për problemet e tyre të punës, për problemet mjekësore apo edhe ato sociale. Duke patur parasysh që në Tiranë ekzistojnë zona urbane, që nga zona e Freskut, Yzberishi, Alliasi, Instituti Bujqësor, Sauku etj, është e qartë që me këtë transport urban, ato realisht izolohen, ndonëse janë pjesë integrale e kryeqytetit. Për mijëra pensionistë, për mijëra familje me të ardhura minimale, ky transport urban në situatën në të cilën ndodhet, ua bën realisht të pamundur që ata të kryejnë edhe shërbimet minimale. Rritja e çmimeve dhe varfëria që thellohet, ua bën të pamundur të përdorin mjete të tjera alternative, pasi ata nuk mund të blejnë automjete private apo të përdorin shërbimin taxi, të cilat janë tepër të kushtueshme. Nuk bëhet fjalë këtu për shërbimin urban që lidh zonat më të largëta të kryeqytetit, si ish-komunat, ku ky shërbim është praktikisht inekzistent.” – shtoi Caka.

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, vijoi denoncimin duke thënë se Bashkia e Tiranës që shpërdoron taksat e qytetarëve duke paguar inceneratorët që nuk ekzistojnë e duke bërë tendera e asfalte elektorale.

Caka tha se ndërsa bashkia e drejtuar nga Veliaj shpenzon miliona euro për propagandë, kamera, lukse zyrash e rreth 8 mijë të punësuar, nuk shpenzon asgjë për të pasur një transport normal për qytetarët.

“Bashkia e Tiranës, e cila shpërdoron e grabit paratë duke paguar inceneratorë që nuk ekzistojnë, që shpenzon miliona euro për tendera dhe asfalte elektorale, që shpenzon miliona euro për propagandë, kamera, llukse zyrash dhe rreth 8 mijë të punësuar, përfshirë dhe këshilltarët e patronazhistët, nuk shpenzon asgjë për të pasur një transport normal për qytetarët e vet. Asnjë qytetar sot nuk ka mundësi që të lëvizë nëpër kryeqytet me lehtësi, përmes shërbimit urban. Gjithë sinjalistika, që nga tabelat e stacioneve apo tabelat treguese për itinerarin e linjave të urbanëve, nuk ka as standartin minimal dhe nuk orientojnë qytetarët në lëvizjet e tyre. Lëvizja e qytetarëve, veçanërisht në orët e pasdites dhe darkës, është thuajse e pamundur, pasi oraret as që respektohen gjëkundi dhe lëvizja shumë e ngadaltë edhe e atyre pak automjeteve të trasnportit, vetëm i lodh dhe i streson qytetarët, në vend se t’ua bëjë jetën më të lehtë atyre.” – vijoi Caka denoncimin.

Në fund ajo tha se asnjë qytetar nuk mund të gënjehet më me asnjë lloj ideologjie pasi është përballur me 10 vite mashtrime nga ana e Erion Veliajt.

Caka theksoi se zgjidhja e vetme për ankthin e përditshëm të qytetarëve me transportin urban është në zgjedhjet lokale të 14 majit me largimin e Erion Veliajt e patronazhistëve të tij nga bashkia.

“Kjo plagë e Tiranës, e cila është kthyer në një ankth të përditshëm për çdo qytetar, nuk ndryshoi në 10 vite të qeverisjes rilindase, ndaj asnjë qytetar nuk mund të gënjehet më me asnjë lloj demagogjie dhe propagande, apo shoë-t të pështirë të videokasetave teatrale të Erion Veliajt. Bashkia e Erion Veliajt dhe Policia e saj në vend që t’u vendosë dhjetëra mijëra gjoba automjeteve private në Tiranë, të dalë e të inspektojë nga mëngjesi deri në darkë linjat e urbanëve, që ata të funksionojnë normalisht, se këtë kërkojnë qytetarët e Tiranës. Zgjidhja e vetme e kësaj plage dhe ankthi të përditshëm të qytetarëve me transportin urban, do të vijë vetëm pas 14 majit me largimin e Erion Veliajt dhe të rilindasve e patronazhistëve të tij nga Bashkia e Tiranës, duke krijuar më së fundi atë transport urban që qytetarët e Tiranës meritojnë e për të cilin paguajnë miliona e miliona euro taksa.” – mbylli denoncimin Caka.