Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi gjatë konferencës së sotme për mediat se pastruesja Rozeta Dobi ka marrë kërcënime nga më të mëdhatë dhe se qeveria po bën çdo përpjekje për t’i mbyllur gojën asaj.
Berisha bëri thirrje që Dobi të bëhet e penduara e drejtësisë.
“Ky vit nisi me superskandalin të themi të Alda Klosit, ‘de facto’ të Edi Ramës dhe Arben Ahmetajt. Janë bërë me dhjetëra kronika, me dhjetëra raportime. Por një enigmë, ku qëndron dhe çelësi i së vërtetës nuk është trajtuar në dimensionin e duhur. Nuk është trajtuar raporti Rozeta-kasaforta. Sipas të gjitha të dhënave, Alda Klosi ose i mbante paratë në dyshek dhe flinte, se nuk e dini ju, manjakët e parave ndihen komfort sipas përshkrimeve kur flenë në dyshekë të mbushur me para, ose ajo i dha kodin e kasafortës. Ia dha në roje, ia dha në mirëbesim. Pra, këtu qëndron dhe rebusi, ndërkohë Rozeta Dobi ka marrë kërcënime nga më të mëdhatë. Qeveria ka bërë çdo përpjekje për t’i mbyllur gojën asaj. Gjithçka është bërë dhe ajo është realisht e kërcënuar shumë. Thirrja ime është që ajo të shpallet e penduar e drejtësisë çka nuk ndodh se kjo e lemerit Edi Ramën dhe Arben Ahmetajn”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD tha se “Arben Ahmetaj është kandidat për kokërr të burgut”. Sipas Berishës në perceptimet telefonike të Ahmetajt, del në radar Alda Klosi.
“Qeveria po bën gjithçka për të mashtruar qytetarët në këtë hetim. Të gjitha janë paratë e Aldës, Arben Ahmetajt dhe Edi Ramës. Ato janë paratë e djegësve. Edi Rama e ka shkarkuar atë më datë 20 në mënyrë që të mos largohej nga detyra si zyrtare e lartë”, u shpreh Berisha.