Në kërkim të zëvendësimit të gazit rus kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz angazhohet për furnizimet me gaz nga Iraku. Ndërsa në Irak shpresohet për investimet gjermane në sektorin e energjisë.
“Iraku do të ishte një partner i preferuar bashkëpunimi në importimin e gazit dhe naftës në Gjermani”, tha kancelari Olaf Scholz pas një takimi me kryeministrin e ri të Irakut, Mohammed Schia al-Sudani, në Berlin. Importet e gazit mund të shpërndahen nga Gjermania edhe më tej në vende të tjera europiane, raporton DW.
Scholz theksoi, se Gjermania nuk do të jetë sërish e varur vetëm nga një furnizues gazi si dikur me Rusinë. Nga Rusia përpara sulmit ndaj Ukrainës furnizohej më shumë se gjysma e importeve gjermane të gazit. Tani Gjermania nuk mer më gaz nga Rusia.
Iraku do të kthehet në eksportues të gazit
Al-Sudani theksoi qëllimin e vendit të tij, që të avancojë edhe më tej eksportin e gazit nga Iraku. “Ne kemi plane ambicioze për përdorimin e gazit, që shoqëron prodhimin e naftës dhe digjet gjatë këtij procesi”, tha kryeministri irakian. “Ne e kemi paraqitur këtë mundësi dhe kemi ftuar sipërmarrjet gjermane të investojnë në këtë sektor.”
Asnjë vend tjetër në botë nuk është kaq shumë i varur nga të ardhurat prej naftës sa Iraku. Sipas të dhënave të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Iraku është vendi i pestë në botë për prodhimin e naftës. Edhe gazi eksportohet përmes terminalit LNG të të Basra Gas Company të hapur në vitin 2022.
Në kuadër të kësaj vizite Siemens Energy dhe ministri irakian e Energjetikës Siad Ali Dahil nënshkruan një deklaratë rakordimi për zgjerimin e infrastrukturës së furnizimit me energji në Irak. Konkretisht Siemens Energy do të zgjerojë centralet që punojnë me energji fosile dhe të rigjenerueshme. Projektet synojnë të reduktojnë ndërprerjet e vazhdueshme të elektricitetit në Irak dhe të ulin emisionet e dioksidit të karbonit.
Iraku vuan vazhdimisht nga furnizimi i keq me elektricitet duke pasur ndërprerje të vazhdueshme. Kjo krahas gjendjes së vështirë ekonomike dhe korrupsionit janë arësyet për protetstat e vazhdueshme, që e kanë tronditur këtë vend vitet e fundit.