Vendosni fjalën kyçe....

Ish-presidenti brazilian do hetohet për sulmin e mbështetësve të tij ndaj institucioneve


Gjykata e Lartë e Brazilit miratoi një kërkesë nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të premten për të hetuar ish-presidentin, Jair Bolsonaro, me dyshimin për nxitje të trazirave në kryeqytet.

Të dielën, mbështetësit e Bolsonaros sulmuan dhe plaçkitën ndërtesat qeveritare në kryeqytetin e vendit, Brasilia.

Ata po protestonin kundër rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të tetorit, të cilat u fituan nga politikani i majtë Luiz Inacio Lula da Silva me një dallim të vogël prej më pak se 2%.

Bolsonaro postoi një video në Facebook më 10 janar, në të cilën një zyrtar rajonal pretendonte se ‘Lula nuk është zgjedhur nga populli brazilian’.

Gjykatësi Alexandre de Moraes tha në një deklaratë se duke postuar videon e fshirë që vinte në dyshim ligjshmërinë e votës, ‘Bolsonaro dha një nxitje publike për të kryer krime’. Ai shtoi se megjithëse videoja u postua dy ditë pas sulmeve në Brasilia, kishte një ‘lidhje’ mes mesazhit të përhapur nga ish-presidenti dhe dhunës.

“Është e rëndësishme të theksohet se ish-presidenti Jair Bolsonaro është përfshirë në mënyrë të përsëritur në të njëjtën sjellje për të cilën ai tani po hetohet.” – shkroi de Moraes.

Gjykatësi kërkoi që kompania mëmë e Facebook, Meta, të ruajë videon në fjalë në mënyrë që hetuesit të analizojnë ndikimin e saj. De Moraes nuk ka urdhëruar që Bolsonaro të merret menjëherë në pyetje, duke thënë se një seancë dëgjimore për këtë çështje do mbahet më vonë. Bolsonaro tani për tani është jashtë vendit.

Bolsonaro, një ish kapiten i ushtrisë, dënoi dhunën të hënën.

“Demonstratat paqësore, brenda ligjit, janë pjesë e demokracisë. Por grabitjet dhe pushtimet e ndërtesave publike siç pamë sot, si aktet e bëra nga e majta në 2013 dhe 2017, nuk janë brenda rregullave.” – shkroi ish-presidenti në Twitter, duke iu referuar trazirave të së kaluarës në Brasilia.

Lula, i cili u betua më 1 janar, sugjeroi se rebelët mund të ishin ndihmuar nga zyrtarët.

“Ne do hetojmë me qetësi për të parë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë.” – tha ai këtë javë.

Trazirat në Brasilia ndodhën dy ditë pas përvjetorit të dytë të sulmit ndaj Kapitolit të SHBA-së nga mbështetësit e ish-presidentit Donald Trump më 6 janar 2021. Kjo bëri që mediat të tërheqin paralele mes Trump e Bolsonaro-s, të cilët janë krahasuar shpesh në të kaluarën për stilin dhe retorikën e tyre.