Vendosni fjalën kyçe....

Tregu i gazit do mbetet i paqëndrueshëm për vite me radhë – Katari


Tregjet globale të gazit natyror do mbeten të paqëndrueshme për disa vite për shkak të mungesës së ofertës mes kërkesës në rritje, tha ministri i Energjisë i Katarit dhe kreu i KatarEnergy, Saad Al Kaabi, në një konferencë të Këshillit Atlantik në Abu Dhabi të shtunën.

Sipas Al Kaabi, megjithë rënien e tanishme të çmimeve të gazit evropian, kryesisht për shkak të motit të butë, rajoni ka të ngjarë të luftojë për të rimbushur rezervat e gazit për dimrin e ardhshëm duke pasur parasysh mungesën e furnizimeve nga Rusia.

“Do të jetë një gjendje e paqëndrueshme edhe për disa kohë. Ne po sjellim shumë gaz në treg, por nuk mjafton…Për fat të mirë, BE-ja nuk ka pasur një kërkesë shumë të lartë për gaz për shkak të motit më të ngrohtë. Çështja është se çfarë do ndodhë kur ata do duan të rimbushin depot e tyre këtë vit.” – tha ai, duke shtuar se ai nuk pret që asnjë vëllim shtesë gazi të hyjë në treg të paktën deri në vitin 2027.

Al Kaabi beson se pavarësisht përpjekjeve për të diversifikuar furnizimet, vendet evropiane përfundimisht do i kthehen gazit rus për shkak të mungesës së burimeve alternative.

“Gazi rus do kthehet në Evropë kur Rusia dhe BE-ja do arrijnë disi të zgjidhin situatën, megjithëse vendet evropiane ka të ngjarë t’i bëjnë burimet e tyre të hidrokarbureve më të larmishme dhe të ndalojnë së mbështeturi 100% te Rusia…Por gazi rus do kthehet. Sipas mendimit tim, për Evropën do të jetë një përfitim i madh për sektorin e gazit dhe gjithë tregun evropian dhe do ndihmojë në stabilizimin e çmimeve.” – tha ai.