Kërkuesit gjetën të hënën regjistruesin e zërit të kabinës dhe kutitë e zeza të të dhënave të aeroplanit që u rrëzua të dielën, duke vrarë të paktën 68 njerëz në rrëzimin më vdekjeprurës ajror të Nepalit në 30 vjet, thanë zyrtarët.
Të dhënat në kutitë e zeza mund të ndihmojnë hetuesit të përcaktojnë se çfarë e shkaktoi rrëzimin e avionit ATR 72, me 72 persona në bord, në mot të kthjellët pak para uljes në qytetin turistik Pokhara.
Të dy regjistruesit ishin në gjendje të mirë dhe do dërgohen për analizë bazuar në rekomandimin e prodhuesit, tha Teknath Sitaula, një zyrtar në aeroportin e Katmandu, për Reuters të hënën.
Ekipet e shpëtimit po luftonin me motin me re dhe dukshmërinë e pakët teksa kërkuan në grykën e lumit për udhëtarë të pagjetur, më shumë se 24 orë pas përplasjes. Gjashtëdhjetë e tetë trupa janë gjetur.
Avioni, në një fluturim të planifikuar nga Katmandu në Pokhara, portë për në malin piktoresk Annapurna, mbante 57 nepalezë, pesë indianë, katër rusë, dy koreano-jugorë dhe nga një person nga Argjentina, Irlanda, Australia dhe Franca.
Zyrtari i policisë së Pokhara, Ajay K.C. tha se operacioni i kërkim-shpëtimit, i cili u ndal për shkak të errësirës të dielën, kishte rifilluar.
“Ne do të nxjerrim pesë trupat nga gryka dhe do kërkojmë për katër të mbeturit që janë ende të zhdukur.” – tha ai për Reuters. 63 trupat e tjerë ishin dërguar në spital, tha ai. Një zëdhënës i aeroportit Pokhara tha gjithashtu se moti po pengonte përpjekjet e shpëtimit, por se retë pritej të pastroheshin më vonë gjatë ditës.
Gati 350 njerëz kanë vdekur që nga viti 2000 në përplasjet e avionëve ose helikopterëve në Nepal, shtëpia e 8 nga 14 malet më të larta në botë, përfshirë Everestin, ku ndryshimet e papritura të motit mund të shkaktojnë kushte të rrezikshme.
Ekspertët thonë se aksidentet ajrore zakonisht shkaktohen nga një kombinim faktorësh dhe hetimet mund të zgjasin me muaj ose më shumë.
Nepali ka shpallur një ditë zie kombëtare të hënën dhe ka ngritur një panel për të hetuar fatkeqësinë dhe për të sugjeruar masa për të shmangur incidente të tilla në të ardhmen.