Vendosni fjalën kyçe....

Kongresmeni demokrat kërkon verifikimin e dokumenteve të klasifikuara të Biden


Kongresmeni demokrat Adam Schiff, një nga aleatët kryesorë të Joe Biden në Kongres, ka pranuar se dokumentet e klasifikuara të zbuluara në pronat e lidhura me presidentin mund të kenë komprometuar sigurinë kombëtare të SHBA-së.

“Unë nuk mendoj se mund ta përjashtojmë mundësinë pa ditur më shumë fakte.” – tha Schiff të dielën në një intervistë për ABC News.

Demokrati i Kalifornisë theksoi se Komiteti i Inteligjencës i Kongresit duhet të marrë informacione nga agjencitë e inteligjencës amerikane si për dokumentet e Biden, ashtu edhe për dokumentet e klasifikuara të gjetura në një bastisje të FBI-së gushtin e kaluar në resortin Mar-a-Lago të ish-presidentit Donald Trump në Florida.

“Ne kemi kërkuar një vlerësim në komunitetin e inteligjencës të dokumenteve të Mar-a-Lago-s.” – tha Schiff.

“Unë mendoj se ne duhet të marrim të njëjtin vlerësim për dokumentet e gjetura në shtëpinë e Presidentit Biden. Do të doja të dija se cilat ishin këto dokumente. Do të doja të di se cili është vlerësimi i komunitetit të inteligjencës, nëse kishte ndonjë rrezik ekspozimi dhe cili do të ishte dëmi dhe nëse duhet bërë ndonjë ndërhyrje.”

Në diskutim janë dokumentet e klasifikuara, disa të shënuara si ‘tepër sekrete’, nga dy mandatet e Biden si zëvendëspresident në 2009-2017. CBS News raportoi të martën e kaluar se avokatët e presidentit gjetën dokumente të klasifikuara në zyrën e tij në ‘Qendrën Penn Biden’, një institut kërkimor në Uashington.

Dy ditë më vonë, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se dokumente të tjera sekrete u zbuluan në dy vende në shtëpinë e Biden në Delaware, duke përfshirë garazhin e tij. Gjithashtu të enjten, në shtëpinë e Bidenit u gjetën edhe më shumë letra të klasifikuara.

Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland caktoi një Këshilltar Special për të hetuar keqpërdorimin e dukshëm të dokumenteve. Schiff tha se Garland kishte pak zgjedhje pasi caktoi një hetues të jashtëm në rastin që përfshin Trump.