Vendosni fjalën kyçe....

Përtej së qeshurës! Si skandalet po gërryejnë moralin e shoqërisë dhe po dëmtojnë bizneset


Përtej së qeshurës, duhet të kuptojmë se skandalet që kanë dalë në publik e që mund të dalin në të ardhmen po e nxijnë, përditë e më shumë vendin, po gërryejnë moralin e shoqërisë dhe po dëmtojnë ekonomikisht bizneset dhe individët korrektë të këtij vendi

EDITORIAL / Në epokën e përdorimit intensiv të teknologjisë nga individët dhe kalimit të një kohe të konsiderueshme në rrjete sociale dhe në web, është rritur edhe fenomeni i përdorimit të memeve, apo i shprehjes së mendimit personal në formë statusesh e komentesh, me apo pa humor, për probleme nga më të ndryshmet politike e shoqërore.

Pa dyshim, edhe Shqipëria është bërë pjesë e këtij fenomeni. Publikimi dhe qarkullimi i memeve apo statuseve e komenteve, me përmbajtje humori e sarkazme, janë tashmë përditshmëri që ngërthejnë pothuaj këdo.

Nuk ka nevojë të bëhen llogaritje korrelacioni, apo të ndërtohet ndonjë model, për të arritur me intuitë në një përfundim të saktë, që sasia e publikuar dhe shpejtësia e shpërndarjes së tyre është rritur ndjeshëm, si dhe intensiteti i tyre shumëfishohet, sa herë përballemi me probleme të korrupsionit, ryshfetit, hajnisë, keqpërdorimit apo keqadministrimit të të ardhurave publike.

Pa frikë mund të themi se “fronti” i memeve dhe komenteve është shndërruar në një lloj mekanizmi opozitar, mjaft i denjë dhe shpesh më efektiv.

Thënë ndryshe, memet dhe komentet në rrjete sociale e internet kanë zëvendësuar mekanizmin e disidencës popullore në vitet e komunizmit, përmes qarkullimit me pëshpëritje të barsoletave antiregjim e antidiktaturë. Sa më e kalbur dhe perverse që shndërrohej diktatura, sa më teposhtë që bënte ekonomia, aq më shumë rritej cilësia e barsoletës. Njësoj po ndodh edhe tani.

Sa më tepër ndyhet pushteti politik dhe shtetëror nga fenomenet e korruptimit, paaftësisë dhe keqadministrimit dhe sa më të pafuqishëm që ndihen qytetarët e Shqipërisë t’i kundërvihen institucionalisht këtyre fenomeneve, gjithmonë e më shumë po hasemi në meme e komente me humor të një cilësie të lartë.

Dhe qeveria e politika, “për fatin e mirë”, janë kujdesur të na japin gjithnjë e më shumë ngjarje që përbëjnë material memesh e humoresh, që ne të “Monitor” po i pagëzojmë si “barsoleta virtuale”.

Pa u bërë dy javë nga hyrja e vitit 2023 u hasëm me një sërë ngjarjesh, që i dhanë vrull një tjetër serie barsoletash virtuale.

Lajmi i një vjedhjeje, në dukje mjaft i rëndomtë, i një banese me dyshimin se është kryer nga punonjësja që pastronte këtë banesë, shumë shpejt u shndërrua në një histori pastrimesh e spastrimesh parash në vlera të jashtëzakonshme (deri më tani, të paktën gjysmë milion euro), me origjina të dyshimta (ryshfeti apo kriminale), në posedim apo ruajtje të individëve, me detyra të larta në administratën shtetërore, në lidhje familjare me të tjerë individë me detyra të larta shtetërore.

E nëse çështja sapo ka nisur të hetohet, ajo u shoqërua rëndom me një sërë pohimesh të mjegullta e të pavërteta nga protagonistët.

Ngjarja ishte aq goditëse për publikun, sa që eklipsoi dhe një sërë ngjarjesh të tjera po kaq skandaloze, përfshi dhe publikimin e të dhënave bankare të një numri subjektesh e individësh. Si gjithmonë të bombarduar me perversitete të tilla, qytetarët shqiptarë vendosën përsëri të përballonin goditjen me humor, me “barsoleta virtuale”.

Një zgjidhje shumë e mirë për të menaxhuar shëndetin mendor, por e pamjaftueshme për të vijuar të jemi të shëndetshëm në afatgjatë. Përtej së qeshurës, duhet të jemi të qartë se pasojat e ngjarjeve të tilla janë mjaft të rënda dhe serioze për ekuilibrin shoqëror, moralin e vendit dhe ekonominë tonë.

Përtej së qeshurës…!

Krijohen kosto për ekonominë shqiptare. Në mjedise ku prej një viti, të dhënat më personale të çdokujt janë në duart e të gjithëve, ku është shuar koncepti i së dhënës personale dhe secili është i ekspozuar ndaj çdo krimineli apo abuzuesi, e bën drejtpërdrejt jotërheqës mjedisin ekonomik për investime serioze dhe të qëndrueshme.

Bizneset aktuale po humbasin kontrata dhe mundësi për të kryer aktivitet të leverdishëm, pikërisht për shkak se Shqipëria është një vend që nuk e mbron dot të dhënën personale.

Rasti tipik, i bërë publik, është ai i biznesit të call center-ave. Ka biznese të tjera që kanë preferuar të vetëhumbasin kontrata pune, nën drojën e pësimit të gjobave dhe dëmtimit të reputacionit, nëse të dhënat zbulohen jo për faj të tyre.

Orteku i problemeve me të dhënat sapo ka filluar. Ndërkohë, zyrtarisht, përveç mbrojtjes patetike të mekanizmit të patronazhistëve (alias Big Brother-i Politik), deklarimeve për nevoja për tendera dhe alokimin e fondeve të larta për AKSHI-n (alias, Ministria e Mbrojtjes së Informacionit Shtetëror), apo ndoshta ndonjë takimi të pritshëm madhështor me specialistët e teknologjisë së informacionit nga diaspora (pra me ata që u janë bashkuar armatës së popullatës që emigron), ende nuk kemi ndonjë masë serioze apo veprim dinjitoz institucional.

Më e pakta, ka heshtur Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.  Ç’vlerë ka të vijojmë të paguajmë nga taksat tona për këtë institucion, që në skandalin e zbulimit të të dhënave, befas u bë më i heshturi.

Krijohet (është krijuar në fakt) kosto tepër të larta për rikthimin e administratës shtetërore në binarët e të vepruarit në përputhje me ligjin dhe detyrat. Ngjarja më e fundit me punonjësen e shërbimit të “spastrimit” të banesave përsëri evidentoi faktin që administrata shtetërore, nga administratë publike është shndërruar në administratë nepotike, ku dita e punës nuk fillon sipas orarit zyrtar, por në mesditë, pasi të kesh konsumuar edhe kafetë me miqtë, në një tjetër institucion.

E gjitha kjo përkthehet në shërbim administrate me kosto më të lartë për secilin prej nesh. Por përkthehet në një kosto për të ardhmen, për shkak të rrënimit të kulturës së punës dhe shërbimit administrativ.

Kushdo (qeveria, parti politike apo grupim individësh), që në një moment do të kërkojë të rregullojë këtë administratë, do të përballet me reaksion të madh dhe për rrjedhojë, edhe kosto të lartë të rregullimit.

Deformohet tregu i punës dhe shpërndarja e të ardhurave. I gjithë deformimi i shkaktuar në administratën publike ka pasojat e veta në tregun e punës në vend. Sepse krijon një kulturë pune të papërgjegjshme dhe rrit presionin (kërkesën) për të punuar në institucione shtetërore.

Ky çekuilibrim rrit në vijim peshën e shpenzimeve të administratës në të ardhurat publike, me presion për të rritur më tej ngarkesën tatimore mbi bizneset. Vetëm në vitet 2014-2022, punësimi në administratën shtetërore është rritur me 13.3%, kur vendi ka një fenomen të theksuar emigrimi.

Rrënohet morali ekonomik dhe shoqëror i vendit, duke e shndërruar të keqen dhe të paligjshmen në fenomen normal, që praktikisht dëmton qëndrueshmërinë afatgjatë ekonomike dhe vetë demokracinë. Spastrimi i të paktën gjysmë milion euro, në një apo më shumë banesa, edhe në rrethanën kur këto para, për momentin kanë mbetur jetime, flet mbi përmasat tepër të mëdha të vjedhjes, korrupsionit e abuzimit. Kjo tregon se administrata po trajtohet nga punonjësit si dikur vendet e kolonizuara, ku çdo aventurier i jepte të drejtën vetes të grabiste për të fituar “milionëshin e parë”, milionat e tjera dhe titujt e fisnikërisë vinin më pas.

Rezultati dihet, rrënim ekonomik dhe moral i vendit të grabitur. Përmasa të tilla parash jetime dhe zbulimi i shpeshtë i skandaleve të tilla (duke mos harruar inceneratorët që vijojnë të djegin, në vend të mbeturinave, para publike) po kërkon të imponojë si normale dhe vlerë shkathtësie hajninë dhe korrupsionin.

Ai që nuk i pranon këto “vlera moderne” shumë shpejt e gjen veten i izoluar, pa perspektivë ekonomike dhe i detyruar të emigrojë, të varfërohet ose të shndërrohet pjesë e këtij sistemi të kriminalizuar.

Ngjarje të tilla bëjnë, edhe më të qartë, këmbënguljen përtej çdo arsyetimi ekonomik të shëndoshë, apo kërkese të partnerëve ndërkombëtarë, që të mos vijohet me miratimin e ligjit të “amnistisë fiskale”.

Është më se e qartë se sa e pamundur është të amnistohen të ardhurat që kanë fituar, nga puna në të zezë, emigrantët shqiptarë nëpër botë.

Nëse mund të amnistohen më lehtë të ardhurat që kanë fituar nga veprimtaria kriminale nëpër botë (siç e kemi trajtuar edhe në editoriale të tjera në “Monitor”), kjo është një kosto shtesë për bizneset në Shqipëri, veçanërisht ato të sektorit financiar.

Por vihet re mjaft qartë që një ligj i tillë mundëson pastrimin me lehtësi të parave që sot janë në kasaforta apo dyshekë në banesa punonjësish e drejtuesish administrate. Madje, një ligj i tillë i ndihmon këta të shpëtojnë nga “spastrimi” prej pastruesve të banesave.

Përtej së qeshurës, duhet të kuptojmë se skandalet që kanë dalë në publik e që mund të dalin në të ardhmen po e nxijnë, përditë e më shumë vendin, po gërryejnë moralin e shoqërisë dhe po dëmtojnë ekonomikisht bizneset dhe individët korrektë të këtij vendi.

Me sa duket nuk ka mbetur vend për të bërë thirrje për vullnet politik, sepse është pikërisht ky vullnet politik që në vend, ka ndërtuar njëri pas tjetrit, pushtete që ta detyrojnë qytetarin dhe biznesin të mëkatojë.

Siç duket, mekanizmi i vetëm ka mbetur kryerja e revolucionit moral shoqëror, ku hajnia dhe korrupsioni të shpallen dhe trajtohen si mëkatet më të mëdha dhe të përbuzshme.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor