Prokurori federal i Belgjikës tha të martën se ish-anëtari italian i Parlamentit Evropian, Pier Antonio Panzeri, pranoi të bashkëpunojë me autoritetet belge për hetimet e skandalit të korrupsionit në këmbim të një dënimi më të ulët.
Prokurori njoftoi nëpërmjet një deklarate se zoti Panzeri nënshkroi një “marrëveshje pendese”, ku angazhohet të bëjë “deklarime substanciale, rrëfyese, të vërteta dhe të plota” për palët e përfshira në skandalin e marrjes së parave të thata në këmbim të influencës, si dhe për veprat penale që ata kanë kryer.
Në veçanti, ai do t’i informojë hetuesit se si zhvilloheshin operacionet, si arriheshin marrëveshjet financiare me vendet e treta, për strukturat financiare që ishin ngritur, përfshirë aksionerët dhe përfituesit, për përfshirjen e personave të njohur dhe të panjohur në kuadrin e hetimeve, duke ofruar ndër të tjera edhe identitetin e individëve që ai pranon të ketë korruptuar.
Dënimi që do të kërkohet për të, do të përmbajë dënim me burg, gjobë dhe konfiskim të të gjitha pasurive të përfituara, të cilat vlerësohen në rreth 1 milion Euro.
Prokurorët thanë se kjo është hera e dytë në historinë e gjyqësorit belg që një proces i tillë arrin në nënshkrimin e një marrëveshjeje, përcjell VOA.
Të hënën, Parlamenti Evropian filloi një procedurë një-mujore për t’u hequr imunitetin nga hetimet dy ligjvënësve.
Presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola informoi gjatë një seance plenare në Strasburg se Belgjika ka kërkuar heqjen e imunitetit për euro-deputetin italian Andrea Cozzolino dhe atë belg Marc Tarabella, që u përkasin grupimeve të majta socialiste dhe demokrate.
Zoti Panzeri dhe euro-deputetja greke Eva Kaili, së bashku me dy persona të tjerë janë tashmë të arrestuar nga autoritetet belge dhe përballen me akuza për korrupsion dhe pastrim parash për sa i përket pagesave që mendohet se kanë marrë nga Katari dhe Maroku.