Vendosni fjalën kyçe....

Kujdeseshin për “shtëpinë e barit” arrestohen dy shtetas shqiptarë në Britani


Dy shqiptarë janë arrestuar në Britani, pasi janë kapur duke u kujdesur për bimë narkotike në një banesë të përshtatur për këtë aktivitet.

Mësohet se të arrestuarit janë Elidon Zeka dhe Morin Lalaj, të dy të moshës 22 vjeç, të cilët kishin shkuar në Britani me gomone nëpërmjet kanalit të “La Manchit”.

Gjatë kontrollit fizik në ambient, policia zbuloi gjashtë dhoma të shtëpisë me kultivim të kanabisit, me pllaka izoluese mbi dritare, mbulesa plastike në dysheme dhe drita, ventilatorë dhe një sistem ventilimi, përcjellin mediat britanike.

Gjithashtu policia ka sekuestruar 123 bimë narkotike dhe 169 fidanë të tjerë me vlerë 250 mijë paund.

Jashtë banesës ishte një dhe mjet i tipit BMW e cila u sekuestrua nga autoritetet. Mësohet se shërbente për të transportuar drogën.

Gjatë marrjes në pyetje, Zeka nuk i është përgjigjur pyetjeve, ndërsa Lalaj tha se kishte qëndruar në shtëpi për rreth 3 javë dhe se priste të paguhej me 2600 paund për kujdesin e lëndëve narkotike.