Vendosni fjalën kyçe....

Prej gjashtë muajsh e shtruar në Spitalin Neurologjik në QSUT, identifikohet 71-vjeçarja që ndërroi jetë


Një e moshuar, që ka ndërruar jetë pasi kishte e shtruar prej gjashtë muajsh në Spitalin Neurologjik në QSUT, është identifikuar.

Bëhet fjalë për Drana Alushin, e cila është gjetur pas publikimit të fotos së saj në emisionin ‘Pa gjurmë’.

Deri para kësaj dite, e moshuara që kishte gjashtë muaj e shtruar nuk ishte e paidentifikuar as nga mjekët e infermeret e spitalit, as nga policia e Fierit, ku familjarët e saj kishin denoncuar zhdukjen e 71-vjeçares muaj më parë.

“Po, ajo në foto është nëna ime. Ka mbi 4 muaj që ishte e humbur dhe nuk kishim lënë vend pa e kërkuar. Kemi bërë denoncimin edhe në policinë e Fierit, por nuk kishim mundur të zbulonim asnjë gjurmë. Kam kontrolluar gjithashtu nëpër spitale por asgjë. Edhe në morg kam kërkuar. Jemi nga fshati Rom, i Fierit nga ku u largua nëna. Kur pashë foton në ekran u shokova. Nuk desha tu besoja veshëve se nëna ime paska ndërruar jetë pak orë më parë. Ndjehem e pikëlluar për këtë, por juve ju falenderoj shumë që bëtë të mundur gjetjen e saj.” – pohoi e bija në emisionin ‘Pa gjurmë’.

Ndërkohë organizata ‘Drejtësi Sociale’ shkruan në Facebook se ishte vënë në dijeni për gjetjen e 71-vjeçares nga Fieri, përmes një emisioni televiziv ndërkohë që shkruan se kishte raportuar prej disa muajsh humbjen e saj në Komisariatin e Fierit.

“Para disa muajsh raportuam humbjen e nënës rome nga Fieri. Mbrëmjen e djeshme jemi vënë në dijeni nëpërmjet emisionit “Njerëz të humbur” se trupi nënës ndodhet në morgun e QSUT-së. Sipas tyre nëna kishte qëndruar 4 muaj e shtruar në një nga spitalet e QSUT-së. Spitali nuk kishte asnjë informacion mbi nënën rome. Ndërkohë, paraligjori Drejtësi Sociale e ka raportuar humbjen e saj pranë Komisariatit në Fier. Kjo tregon qartë se ka munguar bashkëveprimi institucioneve. Menjëherë kemi kontaktuar pushtetin vendor për të mbështetur familjen për ceremoninë e varrimit të nënës rome.” – shkruan organizata në faqen e saj në Facebook.

Ndërkohë nuk dihen rrethanat sesi ka mbërritur 71-vjeçarja në Spitalin Neurologjik muaj më parë dhe as pse nuk është bërë i mundur identifikimi i saj prej kaq shumë kohësh.