Fondi Europian për Zhvillim të Qëndrueshëm plus (EFSD+) ka miratuar një paketë prej 24 programesh garancie për të mbështetur investimet në vendet fqinje e në proces zgjerimi të Bashkimit Europian.
Së bashku me tre garancitë për Ballkanin Perëndimor për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM-ve) të miratuara në dhjetor, garancitë e reja, me vlerë 2.4 miliardë euro, pritet të gjenerojnë rreth 17 miliardë euro investime në sektorët prioritarë, ku përfshihen energjia e rinovueshme, lidhjet dixhitale dhe konkurrueshmeria në sektorin privat, në kuadër të Planeve Ekonomike dhe Investimeve (EIPs).
“Me ndihmën e këtyre garancive të reja prej 2.4 miliardë euro, ne do të jemi në gjendje të gjenerojmë rreth 17 miliardë euro investime në sektorët prioritarë, duke përfshirë energjinë e rinovueshme, lidhjen dixhitale dhe konkurrencën e sektorit privat, sipas Planeve Ekonomike dhe Investimeve,” tha komisioneri i Zgjerimit dhe Fqinjësisë së mirë, Oliver Varhelyi.
“Këto investime do të jenë kritike për të kontribuar në rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve në vendet tona partnere.”
Pasi të nënshkruhen marrëveshjet e garancisë ndërmjet BE-së dhe gjithsej 11 institucioneve financiare europiane dhe ndërkombëtare si BEI, BERZH dhe bankat kombëtare të zhvillimit, këto subjekte do të kenë tre vjet kohë për të gjeneruar investime në fusha si: konkurrueshmëria e sektorit privat dhe axhenda e inovacionit për Ballkanin Perëndimor; lidhja e Detit të Zi në fqinjësinë Lindore; tranzicioni energjetik dhe siguria në fqinjësinë jugore.
Garancia e BE-së pritet gjithashtu të rrisë financimin e bankave për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe të rrisë emetimin e bonove të gjelbra në vendet partnere të BE-së.
EFSD+, krahu financiar nën Instrumentin e Fqinjësisë, Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të BE-së (NDICI) – Global Europe, ofron garanci për të zbutur rrezikun për investimet në përputhje me prioritetet e BE-së në vendet tona partnere.
EFSD+ mbështet investimet publike dhe private në vendet partnere në mbarë botën për të promovuar krijimin e denjë të vendeve të punës, për të forcuar infrastrukturën publike dhe private, për të nxitur energjinë e rinovueshme dhe bujqësi të qëndrueshme dhe për të mbështetur ekonominë dixhitale.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor