Zbardhen detaje nga dosja hetimore në lidhje me operacionin antidrogë që u finalizua falë bashkëpunimit të Antimafias Italiane dhe Policisë Shqiptare, për të cilin SPAK lëshoi 21 urdhër-arreste. Kujtojmë se nga këto arrestime janë ekzekutuar 15 masa.
Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje për BalkanWeb nga dosja hetimore, ku tregohet se si funksiononte dhe organizonte grupi kriminal i shqiptarëve dhe shtetasve të huaj, për të organizuar trafikun.
Kështu, në dosje përcaktohet se në banesën e Alfred Lulit u gjetën dhe sekuestruar 5 fletore dhe fletë të shkruara me dorë, me numra, sasi dhe emra e llogari të aktivitetit të shitjes së drogës. Nga ekzaminimi i këtij dokumentacioni u konstatua se bëhej fjalë për një kontabilitet të pjesshëm që lidhej me periudhën korrik 2015-2017. Në to shihet se përdorej gjuhë e koduar me simbole dhe fjalë që tregonin sasitë dhe llojin e lëndës narkotike.
Konkretisht, simboli S tregon për lëndën narkotike të llojit marijuanë me origjinë nga Spanja, ndërsa simboli A tregon për lëndën narkotike të llojit marijuanë nga Shqipëria. Po ashtu simboli H, flet për substancë narkotike e llojit kokainë, ndërsa fjala ‘tym’ ose ‘çokollatë’, flet për hashashin.
Ndër të tjera, në kodin e përdorur nga ky grup kriminal ishte dhe fjala ‘copë’ që përdoret për të treguar 1 gramë, ndërsa fjala ‘pako’ përdoret për të treguar 1 kg. Mes të tjerash në dosje përcaktohet se fjala ‘lek’, monedhë shqiptare për të treguar monedhën në euro, ndërsa fjala “Mushka” përdoret për të treguar korrierin e ngarkuar për transportin e drogës ose parave.