Frika për zgjerimin e dhunës mes izraelitëve dhe palestinezëve është materializuar me një sulm vdekjeprurës ndaj një sinagoge të premten në Jeruzalemin lindor. Kjo ndodhi një ditë pasi Izraeli ndërmori sulme që shkaktuar numrin më të madh të viktimave në mbi dy dekada. Ndërsa të shtunën autoritetet izraelite njoftuan se një palestinez 13-vjeçar plagosi me armë të paktën dy persona në Jeruzalemin lindor. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, Departamenti i Shtetit po bën thirrje për ulje të tensioneve, ndërkohë që Sekretari i Shtetit Antony Blinken shkon të dielën në rajon, shkruan VOA.
Duke folur me gazetarët menjëherë pasi u njoftua ngjarja, zëvendës zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel, tha se sulmi ishte absolutisht i tmerrshëm dhe se angazhimi amerikan ndaj sigurisë së Izraelit vazhdon të jetë i garantuar. Zoti Patel tha se planet e Sekretarit të Shtetit Antony Blinken për të vizituar Egjiptin, Izraelin dhe Bregun Perëndimor të dielën, të hënën dhe të martën nuk kanë ndryshuar.
Palestinezët protestuan më herët të premten në Jeruzalem dhe të enjten në vendndodhjen ku ishte zhvilluar operacioni i forcave izraelite në kampin e refugjatëve në Bregun Perëndimor. Zyrtarët palestinezë thanë se u vranë të paktën nëntë persona, ndër ta edhe një grua 61 vjeçare.
Ushtria izraelite publikoi pamjet filmike nga kamerat e vendosura në helmetat e ushtarëve, duke thënë se ata kishin patur në objektiv anëtarët e grupit terrorist Xhihadi Islamik, që ishin përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e sulmeve kundër izraelitëve.
Zëdhënësi i Presidentit palestinez Mahmoud Abbas e quajti operacionin një masakër dhe shpalli tre ditë zie.
“Me agresionin e vazhdueshëm ndaj popullit tonë dhe shkeljen e marrëveshjeve të nënshkruara, përfshirë ato të sigurisë, ne e konsiderojmë nga ky moment joekzistent koordinimin për sigurinë me qeverinë e pushtimit izraelit”, tha zëdhënësi palestinez Rudeineh.
Gjatë udhëtimit të tij në Lindjen e Mesme, Sekretari Blinken do të bisedojë me zyrtarët palestinezë, izraelitë dhe egjiptianë për çështje si mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike.
Por përshkallëzimi i dhunës mund të hedhë një hije mbi vizitën e tij. Të premten, Izraeli goditi me raketa Bregun Perëndimor, në përgjigje të goditjeve nga militantët palestinezë.
Disa analistë, si Brian Katulis i Institutit për Lindjen e Mesme, kishin patur që më parë shqetësime për përfshirjen e ministrave të së djathtës së largët në qeverinë e re të koalicionit në Izrael, nën drejtimin e Kryeministrit të rikthyer Benjamin Netanyahu. Por dhuna, thotë ai, shton një tjetër përmasë kompleksiteti.
“Kjo (dhunë) krijon ndërlikime të mëtejshme për një situatë që ishte tashmë e komplikuar me qeverinë e re izraelite, me shqetësime për zëra më ekstremistë në qeveri dhe të asaj çfarë ata mund të bëjnë për ta trazuar jo vetëm situatën e palestinezëve, por edhe më gjerë në rajon”, tha ai.
Zoti Katulis thotë se një tjetër çështje kryesore për udhëtimin e Sekretarit Blinken do të jetë Irani, marrëveshja e ngecur bërthamore, si dhe reagimi i Shteteve të Bashkuara ndaj protestave të vazhdueshme për të drejtat e grave dhe kundër brutalitetit të qeverisë iraniane.