Vendosni fjalën kyçe....

SHBA, ngrihet një juri për të shqyrtuar rolin e Trump në blerjen e heshtjes të aktores pornografike


Prokurorët në Manhatan, në Nju Jork, që po hetojnë ish-Presidentin Donald Trump, kanë thirrur një juri të madhe për të dëgjuar provat lidhur me një hetim disa-vjeçar mbi pagesat për të blerë heshtjen e aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, lidhur me dyshimet për marrëdhënie seksuale me zotin Trump, njoftojnë disa burime lajmesh, raporton VOA.

Rrjete mediatike, duke cituar burime të paidentifikuara, njoftuan se personat e thirrur filluan të japin dëshmi përpara jurisë së madhe të hënën, duke sinjalizuar një përshkallëzm në atë që prokurori i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, e ka cilësuar si “kapitulli tjetër” i hetimeve të zyrës së tij ndaj zotit Trump

Një zëdhënës i zyrës së zotit Bragg nuk pranoi të komentonte. Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, zoti Trump e kritikoi prokurorin Bragg duke e quajtur atë si prokuror të majtë radikal, ndërsa tha se juria e madhe ishte “një vazhdim i gjuetisë më të madhe të shtrigave të të gjitha kohërave”.

Më parë në Nju Jork janë mbledhur juri të mëdha për të shqyrtuar mundësinë e ngritjes së akuzave penale kundër zotit Trump, por deri tani nuk është lëshuar ndonjë aktakuzë

Juria e madhe e Manhatanit është kërcënimi më i fundit ligjor ndaj zotit Trump, ndërsa ai shton ritmin e fushatës së tij presidenciale.

Hetimet bëjnë fjalë për pagesat prej 130 mijë dollarësh për aktoren e filmave pronografikë Stormy Daniels dhe 150 mijë dollarë për ish modelen e revistës Playboy Karen McDugal, për të blerë heshtjen e tyre në prag të fitores së zotit Trump të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016. Ish-Presidenti Trump ka mohuar të ketë patur lidhje to.

Ish-avokati personal i zotit Trump, Michael Cohen, e pagoi zonjën Daniels përmes kompanisë së tij dhe tha se ishte rimbursuar më pas nga zoti Trump.

Pagesa për zonjën McDougal u bë përmes botuesit të tabloidit “National Enquirer”, që më pas e mbylli ngjarjen e saj në një praktikë të dyshimtë gazetareske për të ndihmuar zotin Trump që të zgjidhet president.

Gazeta “The New York Times” njofton se ish botuesi i tabloidit, David Pecker, u pa të hënën duke hyrë në ndërtesën ku ishte mbledhur juria e madhe.

Ish avokati i zotit Trump, Michael Cohen, u deklarua fajtor në vitin 2018 se kishte shkelur ligjin e financimit të fushatës elektorale, pasi kishte kryer pagesat. Pas një viti në burg, si rezultat i shpërthimit të pandemisë COVID-19, ai u lirua me kusht.

Prokurorët federalë thonë se zoti Trump ishte në dijeni të pagesave, por ata refuzuan të ngrinin akuza ndaj tij. Më herët, zoti Cohen i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se ishte takuar kohët e fundit me prokurorët e Manhatanit për rreth dy orë e gjysmë.