Vendosni fjalën kyçe....

Prokuroria jep detaje për arrestimin e Alda Klosit: Dyshimet për tre veprat penale të bazuara mbi prova, hetimet janë komplekse


Prokuroria e Tiranës ka dalë me deklaratë zyrtare për arrestimin e Alda Klosit ndaj të cilës rëndojnë tre akuza.

Prokuroria thotë se Klosi u ndalua bazuar në prova për veprat penale për refuzim për të dëshmuar, dëshmi të rreme i pasurive, pastrim i produktit të veprës penale si dhe deklaratë të rreme përballë oficerit të policisë gjyqësore.

Prokuroria shpjegon se hetimet janë komplekse dhe do vijohet më tej për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale.

Prokuroria Pranë Gjykatës se Shkallës së Parë Tiranë, më datë 27.12.2022 ka regjistruar procedimin penal nr. 9220 viti 2022 për veprën penale “Vjedhja” e pasurisë që ka sjellë pasoja të rënda parashikuar nga neni 134/3 i Kodit Penal dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i K. Penal, në ngarkim të shtetasve Rozeta Dobi dhe Havier Dobi.

Procedim penal i mësipërm është regjistruar pasi më datë 15.12.2022, është njoftuar Salla Operative e Policisë Tiranë se në Rrugën e “Kosovarëve”, është vjedhur banesa e shtetases Alda Klosi. Në kuadër të veprimeve hetimore të kryera nga organi i prokurorisë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, është krijuar bindja e bazuar në prova se autorët e dyshuar për kryerjen e veprës penale janë shtetasit Rozeta Dobi dhe Havier Dobi, ndaj të cilëve me kërkesë te prokurorisë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendos masën e sigurimit “Arrest në burg”.

Në vazhdën e hetimeve dhe akteve hetimore të administruara në kuadër të këtij procedimi penal, kanë rezultuar fakte e rrethana që përbëjnë elementë të veprave penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin fshehjen ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” parashikuar nga nenet 257/a, 287 e 305/b i K. Penal. Sa sipër, mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme të bazuara në prova, është bërë ndalimi i shtetases Alda Klosi, e vënë nën hetim për konsumimin e elementeve të këtyre veprave penale.

Me urdhrin e datës 03.02.2023, është regjistruar në regjistrin e veprave penale, emri i shtetases Alda Klosi, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin fshehjen ose deklarimi i rremë, i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Deklarata të rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” parashikuar nga nenet 257/a, 287 e 305/b i K. Penal.

Hetimet në lidhje me ketë rast janë komplekse dhe në vijim, duke garantuar se Prokuroria është maksimalisht e angazhuar dhe do të kryejë çdo veprim hetimor me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, dhe vënien përpara përgjegjësisë te çdo personi të përfshirë në të”-thuhet në njoftimin e Prokurorisë.