Kreu i PD-së Berisha ka paralajmëruar se kryeministri Rama do përfundojë si ish-zyrtari i FBI-së Charles McGonigal.
Në një konferencë për shtyp nga selia blu, ai foli për një skenar me tre etapa për shkatërrimin e opozitës shqiptare, në të cilën sipas tij janë të përfshirë kryeministri Rama e McGonigal.
Kryedemokrati shtoi më tej se Rama korruptoi ish-zyrtarin e FBI-së për të asgjësuar plularizmin, demokracinë në Shqipëri.
“Unë dënoj përpjekjen e Edi Ramës për të fshehur të vërtetat e hidhura, për të mos thënë dhe kriminale të bashkëpunimit McGonigal-Edi Rama. Në dosjen shqiptare, gjithcka ekziston, ka vetëm 1 emër, Edi Rama, këshilltari i tij privat Duçka dhe miku i tij Agron Neza. Pra gjithcka është një dosje e tërë në të cilën lakohet emri i Edi Ramës 14 herë dhe personat A dhe B po kaq herë. Këto më detyruan të denoncoj partnerin e vet për veprimtari të dyshimtë. Ajo dispononte sic tha edhe fotografitë e shumta të Edi Ramës me McGonigal të bëra në kryeministri, të bëra në dreka dhe darka, në Shqipëri por edhe në restorantet më të kushtueshme të New York.
Në këtë skenar me dy akte, akti shqiptar është në disa aspekte tmerrësisht i rëndë sepse Edi Rama arriti të angazhojë fuqinë e FBI për shkatërrimin e opozitës shqiptare. Nuk di nëse McGonigal ishte agjent i rekrutuar nga rusët apo jo dhe uroj shumë që të ketë qenë një njeri i korruptuar dhe jo që ka dhënë të dhënat që i dispononte pasi kjo do të kushtonte shumë e shumë jetë njerëzish, qindra e qindra vite burgje të heronjve të vërtetë që në kushte të vështira punojnë për sigurinë e botës së lirë por në rast të kundërt faqja më e zezë e dosjes McGonigal mbetet skenari i shkatërrimit të opozitës dhe pluralizmit në Shqipëri.” – tha Berisha.