21 persona janë arrestuar gjatë javës së shkuar nga Policia Rrugore në Tiranë pasi janë kapur duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.
Po kështu gjatë javës së shkuar janë pezulluar 78 leje drejtimi për tejkalim shpejtësie e shkelje të tjera.
Gjatë aksionit të policisë janë vënë 953 gjoba për shkelje të ndryshme si mosvënie e rripit të sigurimit, mosdhënie përparësie këmbësorëve në vija të bardha, mosvënie të kaskës mbrojtëse e mosrespektim të tabelave.
Njoftimi
“Policia Rrugore e Tiranës ka shtuar numrin e kontrolleve në të gjitha rrugët me qëllim parandalimin e rreziqeve të mundshme dhe aksidenteve. Gjatë javës së kaluar janë arrestuar 21 persona pasi drejtonin mjetin në gjendje të dehur dhe bëheshin burim aksidenti. Gjithashtu, numri i personave që drejtojnë automjetin në gjendje të dehur është rritur, por policia ka bërë të mundur pezullimin e lejeve të drejtimit për 78 drejtues mjetesh, mes tyre edhe për tejkalim të normave të shpejtësisë.Janë ndëshkuar me masë administrative 406 drejtues mjetesh, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjeteve.
Janë ndëshkuar 324 drejtues mjetesh për mosdhënie përparësie këmbësorëve, në vija të bardha dhe 324 për mosvendosje të rripit të sigurimit. Janë vendosur 259 masa administrative, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse dhe mospërdorim të jelekëve fosforeshent, nga drejtuesit e motomjeteve. Gjithashtu, vëmendje e veçantë gjatë kësaj jave është kushtuar për mosrespektimin e tabelës “Stop” dhe për këtë shkelje janë vendosur 46 masa administrative.”