Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se në propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve me Serbinë, që Prishtina e ka pranuar, nuk përfshihet çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Gjatë një prononcimi për media më 7 shkurt, Konjufca tha se në propozimin evropian – që njihet edhe si propozimi franko-gjerman – referenca për Asociacionin është në kuadër të fjalisë ku kërkohet që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të Brukselit.
Kosova dhe Serbia më 2013 dhe 2015 kanë arritur marrëveshje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që do të mblidhte rreth vetes dhjetë komunat në Kosovë, ku shumicë janë komuniteti serb, përcjell REL.
Kryeparlamentari kosovar, që vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, tha se Kosova e ka pranuar këtë plan para tre muajsh, e jo më 6 shkurt, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas një takimi me të dërguarin e BE-së, Mirosllav Lajçak, tha se Kosova pranon propozimin evropian.
“Nuk po e di pse gjithë ky pluhur kur kryeministri para tre muajsh ka thënë që ky plan është i pranueshëm për Kosovën. Pra është bazë e mirë. Në çfarë kuptimi? Në kuptimin që aty nuk përmendet kurrfarë asociacioni. E tëra që mund të aludohet për nënkuptim të Asociacionit në atë plan është marrëveshjet e deritashme të arritura në dialog. Në një farë mënyre, Kosova e merr përsipër një obligim për marrëveshjet e deritashme që janë arritur në dialog. Nga ky kuptim mund të thoni se është i nënkuptueshëm, pra është implicit referenca në Asociacion”, tha Konjufca.