Vendosni fjalën kyçe....

16 mijë humbje njerëzore nga tërmeti në Turqi e Siri, dhjetëra mijëra të lënduar, vijojnë furishëm operacionet e kërkim-shpëtimit


Agjencia turke për menaxhimin e fatkeqësive, AFAD, tha se 14.014 njerëz janë vrarë dhe 63.794 të tjerë janë plagosur deri tani në tërmetet se fuqishme të së hënës me qendër në provincën Kahramanmaras.

Ndërkohë lëkundjet kanë shkaktuar katastrofë edhe në Sirinë fqinje ku deri tani raportohet për mbi 2800 viktima e mijëra të lënduar, duke e çuar numrin e përgjithshëm të humbjeve në njerëz në dy vendet në rreth 15 mijë.

Nga rrënojat janë nxjerrë deri tani mbi 8 mijë persona ndërsa ekipe të shumta kërkim-shpëtimi nga shumë vende të Evropës u janë bashkuar ekipeve turke në terren.

Provinca të tëra në Turqinë jugore dhe lindore që u prekën nga tërmetet janë Gaziantep, Hatay, Osmaniye, Adiyaman, Malatya, Sanliurfa, Adana, Diyarbakir dhe Kilis.

Më shumë se 6000 ndërtesa u shembën nga tërmeteve me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë të së hënës e së martës.

Më shumë se 13 milionë njerëz janë prekur nga tërmetet. Qeveria turke ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme tremujore ne zonat e prekura nga tërmeti.

Në Sirinë fqinje të goditur nga Lufta Civile prej shumë vitesh tashmë, gjendja paraqitet edhe më e vështirë për shkak të kapaciteteve më të pakta për operacionet e kërkim-shpëtimit.