Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadori rus në Beograd: Plani franko-gjerman i papranueshëm për Serbinë, zgjidhja pas konfliktit në Ukrainë


Ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Bochan-Kharchenko, ka thënë se zgjidhja për Kosovën do të vijë pas luftës në Ukrainë, të cilës iu referua si konflikt mes Perëndimit dhe Rusisë në territorin e Ukrainës.

“Në konfliktin mes Perëndimit dhe Rusisë, Rusia me siguri do të fitojë. Rusia nuk po bën luftë kundër Ukrainës, por është në konflikt me Perëndimin në territorin e Ukrainës. Siguria europiane në tërësi do të varet nga rezultati i atij konflikti. Jemi të bindur se do të vendoset një rend i ri ndërkombëtar multipolar, në të cilin Perëndimi nuk do të luajë një rol vendimtar. Tani Washingtoni po përpiqet ta zgjidhë çështjen e Kosovës përmes planit franko-gjerman, por në rrethanat aktuale kjo nuk është e mundur”, tha Bocan-Kharchenko për mediumin serb “Beta”,

Ndërkaq, për planin franko-gjerman, ai tha se e kupton që plani franko-gjerman “për zgjidhjen e çështjes së Kosovës” nuk është i pranueshëm për Serbinë, sepse parasheh moskundërshtimin e Serbisë që Kosova të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

“Ndryshe nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, plani franko-gjerman nuk është bazë për zgjidhje afatgjatë të çështjes së Kosovës. Dhe ky plan, si gjithë të mëparshmit, parasheh lëshime të njëanshme nga Beogradi, në radhë të parë që Kosova të bëhet anëtare e të gjitha institucioneve ndërkombëtare dhe Kombeve të Bashkuara. Plani franko-gjerman në thelb përfaqëson njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Perëndimi këmbëngul hapur se Beogradi duhet të njohë pavarësinë e Kosovës”, tha Bocan-Harchenko.

Për qëndrimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiç që tha se do të marrë pjesë në “procesin e zbatimit të propozimit franko-gjerman”, ambasadori rus tha se e kupton se Beogradi ishte “vetëm i gatshëm” për të vazhduar bisedimet bazuar në atë propozim.

“Mendoj se për Presidentin e Serbisë vetëm disa pika të atij plani janë të pranueshme për diskutim dhe zbatim. Në çdo rast, pikat që parashikojnë njohje ndërkombëtare nuk janë të pranueshme për Serbinë. “Për Perëndimin pika më e rëndësishme është ajo që parasheh anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare”, tha ambasadori.

I pyetur nëse Rusia në Këshillin e Sigurimit do ta pengonte anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara (OKB) nëse presidenti serb pranon të gjitha pikat e planit franko-gjerman, Bocan-Harchenko tha se për Rusinë, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, do të ketë rëndësi qëndrimi i Beogradit.

“Në seancën e fundit të Kuvendit të Serbisë, presidenti Vuçiç ishte i vendosur dhe i qartë në refuzimin e planit franko-gjerman. Nuk e di pse media të caktuara po theksojnë se presidenti Vuçiç mund ta pranonte atë plan kur tha se ai ishte i papranueshëm për Beogradin. Nuk mendoj se ka as më të voglin probabilitet që Serbia të pranojë planin franko-gjerman”, tha Bocan-Harchenko.

I pyetur për të specifikuar nëse ka kushte nën të cilat Rusia do të pranonte që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së, Bochan-Kharchenko tha se Rusia nuk e njeh Kosovën.

“Tani është e pamundur t’i përgjigjemi pyetjes suaj, sepse askush nga ne në këtë moment nuk e di se si do të zgjidhet përfundimisht çështja e Kosovës. Çështja e Kosovës do të zgjidhet në kushte të tjera gjeopolitike që do të lindin pas përfundimit të konfliktit mes Perëndimit të përbashkët dhe Rusisë. Në kushtet aktuale gjeopolitike, nuk është e mundur një zgjidhje afatgjatë për disa çështje të hapura rajonale, përfshirë Kosovën”, theksoi ambasadori rus.

Ai shtoi se kushtet e reja gjeopolitike do të jenë rezultat i “të gjitha ngjarjeve aktuale” në skenën ndërkombëtare.

Beta ka pyetur atë se “pse Rusia nuk është e përfshirë në mënyrë më aktive në zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, ambasadori rus tha se Rusia është përfshirë në mënyrë aktive në zgjidhjen e këtij problemi që nga dita e parë si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit.

“Për shkak të marrëdhënieve armiqësore mes Rusisë dhe Perëndimit, një format i përbashkët nuk është i mundur, por Kosova është ende në agjendën e Këshillit të Sigurimit. Zgjidhja përfundimtare për Kosovën nuk është e mundur pa mbështetjen e Këshillit të Sigurimit dhe kjo është gjëja më e rëndësishme në këtë moment”, tha Bocan-Harchenko.

Ndërkaq, për marrëdhëniet ruso-serbe, ai tha se Rusia ishte “e zhgënjyer” kur Serbia votoi për rezolutën e OKB-së që dënonte luftën e Rusisë në Ukrainë.

“Pavarësisht nga këto pengesa, ne vazhdojmë të zhvillojmë bashkëpunim të mirë me Serbinë”, theksoi Bocan-Harchenko.

I pyetur për deklaratën e Vuçiçit që tha se nuk përjashton mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Federatës Ruse në fjalimin e tij të fundit publik, Bocan-Harchenko tha se “qeveria e Serbisë dhe presidenti Vuçiç për momentin kanë një qëndrim të prerë se sanksionet nuk duhet të vendosen ndaj Rusisë”.

“Presidenti Vuçiç është nën presion të madh nga vendet perëndimore, por tani për tani nuk kemi asnjë indikacion se Beogradi do të vendosë sanksione ndaj Rusisë. “Shumica absolute e popullit serb është kundër vendosjes së sanksioneve dhe dihet se presidenti Vuçiç para së gjithash merr parasysh mendimin e popullit”, tha ai.