Vendosni fjalën kyçe....

Çmimet në bare e restorante shënojnë rritjen më të lartë në 6 vjet, paralajmërohet tjetër shtrenjtim nga marsi


Nuk ndalet rritja e çmimeve të kafes, pijeve në bare dhe ushqimit në restorante. Për 2022 çmimet e mallrave dhe shërbimeve në bare dhe restorante kanë pësuar rritjen më të lartë të shënuar në 6 vitet e fundit.

Indeksi i çmimeve të konsumit në bare dhe restorante për vitin 2022 është 5,4%. Indeksi vjetor i çmimeve të konsumit në këto struktura për 2022, sipas të dhënave më të fundit të INSTAT u rrit 12 herë se viti paraardhës. Krahasuar me indeksin vjetor të çmimeve të konsumit të 2017-s, rritja është 53 herë.

Rritja e fortë e çmimeve ka vijuar edhe për muajin janar 2023. Indeksi i çmimeve të konsumit në bare dhe restorante për janar 2023 është 5,7% nga 3% që ishte në janar 2022 (rritja 90%).

Shoqata e Bareve dhe Restoranteve pohoi me herët se shtrenjtimi i çmimeve është ndikuar, së pari nga rritja e lartë e tyre nga importi, kryesisht për mallrat si kafe, çaj  dhe produkte ushqimore dhe nga shtimi i kostos për shkak të mungesës së theksuar së fuqisë punëtorë.

Vendet e lira të punëtorisë, që sipas të dhënave të shoqatës arrijnë deri në 15,000 ka sjellë rritje të herëpashershme të pagave. Në sektor në 2019 sipas të dhënave të INSTAT ishin të punësuar 45,000 punonjës.

Shoqata e Bareve dhe Restoranteve paralajmëroi se nga muaji mars do të ketë rritje të fortë të çmimeve nga i gjithë sektori, për shkak të kostove të larta nga shtrenjtimi i çmimeve të importit të kafes apo çajeve.

“Deri tani çmimet e kafes në bare janë rritur tek-tuk 10 deri 20 lekë. Nga marsi parashikohet të ketë rritje të fortë të çmimeve. Importuesit e kafes, çajrave apo produkteve të tjera kanë paralajmëruar rritje të çmimeve 7-8% më shumë se vjet.

Nga ana tjetër është edhe kostoja e lartë e rrogave të punonjësve. Rritja e pagave për shkak të mungesës së fuqisë punëtore është shumë e fortë. Krahasuar me vjet në sektorin e bareve dhe restoranteve nuk ka më paga të kamerierëve nën 50,000 lekë të dhe pastrueseve nën 40,000 lekë. E gjitha kjo kosto do të amortizohet të çmimet”, nënvizuan përfaqësues të Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve.

Në vend janë gjithsej 15,5 mijë bare, nga 22 mijë në vitin 2015, duke qenë aktiviteti i dytë më i preferuar në vend, pas biznesit të pakicës. Sipas të dhënave të regjistrit të bizneseve të INSTAT në vitin 2021 u mbyllën 854 aktivitete të shërbimeve të ushqimeve e pijeve, me rënie 5.2%.

Burimi: INSTAT

Burimi: INSTAT, përpunime të Monitor

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor