Korporata Elektronenergjtike Shqiptare (KESH), të cilës iu desh të shpenzonte disa qindra milionë euro vitin e shkuar në kushtet e krizës, ka mundur të rikuperojë vetëm një sasi të vogël të atyre shpenzimeve falë përmirësimit të situatës hidrike në kaskadë gjatë tre muajve të fundit.
Konkretisht importet e KESH vitin e fundit llogariten në rreth 450 milionë euro ndërkohë që nga nëntori kur nisi shitja e energjisë e deri në ditët e para të shkurtit procedurat e shitjes kanë mundur të sjellin sit ë ardhura rreth 47.5 milionë euro konkretisht.
Prodhimi në kaskadë ka vijuar normalisht duke qenë se kushtet hidrike kanë vijuar të paraqiten të mira dhe nivelet në liqenet e kaskadës optimalë. Vetëm gjatë këtij viti pra në janar dhe shkurt shitjet e KESH në tregun e lirë llogariten në 18.7 milionë euro.
KESH në kushtet e prodhimit maksimal tentoi disa herë për të kryer procedura depozitimi të cilat duket se nuk kanë qenë mjaftueshëm aktraktive për tregtarët pasi pjesa më e madhe e tyre kanë dështuar.
Përmirësimi i situatës hidrike në kaskadë në fund të vitit të shkuar dhe aktualisht bëri që qeveria të tërhiqej nga aplikimi i fashës 800 kWh për konsumatorët që do të paguanin çdo kilovat/ore mbi këtë fashë me 42 lekë. Po kështu përmes zbatimit të një mekanizimi qeveria mori në mbrojtje subjektet e lidhura në 35 kv të cilave ashtu sikurse po ndodh me bizneset e lidhura në tension të mesëm do të furnizohen me çmime më të ulëta se ato të tregut.
Një tjetër grup i rëndësishëm që duket se po ndikon pozitivisht në energjinë e disponueshme për konsum janë edhe prodhuesit me përparësi të energjisë të cilët janë të detyruar që energjinë tja shesin kompanisë publike të shpërndarjes.
Të vendosur në detyrimin e shërbimit publik për shkak të emergjencës në furnizim që zgjat deri në mes të këtij viti këto HEC-e tashmë do të trajtohen gjithashtu me një çmim më të lartë sesa ai që kishte caktuar Enti më herët i cili do të jetë 10 lekë/KWh.
Ndërkohë çmimet e energjisë edhe në bursa duket se kanë rënë në një lloj stabilizimi duke u luhatur nën 200 euro si gjatë janarit ashtu edhe gjatë shkurtit. Konkretisht në Bursën e Hungarisë çmimi në bazë javën e parë të shkurtit ishte mes 150-170 euro/MWh një çmim ky relativisht i ulët po të kemi parasysh atë çka ndodhi me çmimet vitin e shkuar dhe sidomos në verë.
Ecuria e krizës energjetike ende mbetet e paqartë për shkak të zhvillimeve por pritshmëritë janë që gjatë këtij viti të ketë një tendencë më stabilizuese edhe do të duhet kohë që të kthehen në normalitetin dhe qëndrueshmërinë e para gushtit 2021 duke qenë se rreziqet mbeten të larta./N.Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor