Vendosni fjalën kyçe....

Ora News: Adriatik Llalla fiton azilin politik në Itali, shuhen shpresat për ekstradim


Ish-kryeprokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë përgjatë viteve 2012-2017, Adriatik Llalla, ka fituar statusin e Azilantit Politik në Itali.

Vendimi për dhënien e statusit është marrë nga Gjykata e Romës, e cila pasi shqyrtoi kërkesën e Adriatik Llallës, i cili mbrohej nga avokatja shqiptare Ada Mahmutaj, urdhëroi miratimin e kërkesës, duke i hapur rrugën procedurave të mëtejshme të marrjes së pasaportës italiane, që lëshohet përmes strukturave të Ministrisë së Brendshme.

Burime pranë SPAK thanë ekskluzivisht për “Ora News” se Llalla ka fituar statusin e Azilantit, duke sjellë vështirësi serioze dhe zbehur shpresat për ekstradimin e tij.

Adriatik Llalla, prej muajit Shtator 2021, kishte nisur një betejë ligjore në Romë, duke bindur drejtësinë e këtij vendi se përndjekja dhe dënimi i tij me 2 vite burgim në Shqipëri, ka qenë një iniciativë politike dhe jo e pavarur.

Hetimi ndaj Llallës, u regjistrua vetëm disa muaj pasi ai kishte lënë detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë.

Çështja nisi fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e “fshehjes së pasurisë”, “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Pastrimit të parave”.

Llalla, u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”.

Më pas, prokuroria e Durrësit shpalli moskompetencën lëndore dhe dosja u dërgua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda, dhe në korrik 2018, gjykata respektive vendosi sekuestron e pronave të ish-Prokurorit të Përgjithshëm.

Akuzat ndaj tij u tkurrën në vitin 2021, ku SPAK njoftoi më 9 mars përfundimin e hetimeve vetëm për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”, për të cilën Llalla u dënua në mungesë nga gjykata me dy vite burgim.

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Ora News