Vendosni fjalën kyçe....

Rënia vjetore e lindjeve ishte mbi 20 në Korçë e Dibër më 2022


Numri i bebeve të lindura rishtas është një tregues i rëndësishëm për vendin tonë në këtë fazë të zhvillimeve demografike, ku popullsia e vendit po tkurret me shpejtësi.

Rënia e lindjeve në shkallë kombëtare është një fenomen konstant që në fillim të vitit 1990 ku vendi u hap ndaj botës, por disa qarqe pas pak dekadash do të shkojnë drejt shuarjes për arsye të rënies së shpejtë të lindjeve.

INSTAT raportoi se gjatë vitit 2022 bebet e lindura në shkallë kombëtare shënuan rënie me 13.7%, por në qarqet e Korçës dhe Dibrës rënia ishte më e fortë me nga 25.5 dhe 20.7 për qind secila. Pas Korçës rënien më të madhe të lindjeve e kishte qarku i Gjirokastrës i cili kishte rënie 19% (shih grafikun bashkëngjitur).

Në të gjitha qarqet rënia e lindjeve është me ritme dyshifrore. Shkaqet janë shumëdimensionale, por kryesoret lidhen me rënien e popullsisë në grupet e reja moshore. Për shembull në vitin 2021 grup-mosha 0-29 vjeç ka rënë me 35 % në krahasim me vitin 2001. Tkurrja më e lartë e popullsisë së të rinjve ka nisur pas vitit 2015, në një linjë me rikthimin e ciklit të emigracionit, që u reflektua në rritjen e kërkesave për azil.

Në grup-moshën 0-29 vjeç rënia më e madhe e popullsisë ka qenë për foshnjat 0-4 vjeç që kanë pësuar rënie me 49 % në raport me 2001, numri i fëmijëve nga 5-14 vjeç shënoi rënie pothuajse me 50 për qind nga vitit 2011.

Rënia e shpejtë e numri të fëmijëve në dy dekadat e kaluara janë shkaku kryesor për rënien e lindshmërisë aktualisht. Gjithashtu një valë e fortë emigracioni në grupet e reja të popullsisë e ka përkeqësuar edhe me tej trendin natyral të lindjeve.

Sipas të dhënave nga Britania e Madhe dhe Eurostat mbi 21 mijë shqiptar kanë kërkuar azil politik ne 9 mujorin e 2022, ku mbi 80 për qind e tyre ishin të rinj në moshë. Ikja e të rinjve nga vendi është edhe më e fortë po të grumbullohen të dhënat për ata që ikin për studime, me kontrata pune, për bashkim familjar dhe nëpërmjet lotarive.

Brezi ynë pas dy dekadash do të mund të shohë qytete të tëra të braktisura. Imagjinoni që në të gjithë qarkun e Gjirokastrës ku përfshihen edhe Tepelena me Përmetin kanë lindur 364 bebe më 2022. Pas 6 vitesh në të gjitha shkollat e qarkut do të jenë në klasën e parë vetëm 364 nxënës nëse prindërit e tyre nuk vendosin të emigrojnë jashtë vendit ose në qytete të tjera siç ka ndodhur këto vitet e fundit./B.Hoxha

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor