Vendosni fjalën kyçe....

Operacioni “Fijet”, çmontohen 20 kamera të tjera në disa qytete


Operacioni policor i koduar “Fijet” ka vijuar edhe më disa qytete të Shqipërisë.

Gjatë kësaj faze janë çmontuar 20 kamera të tjera, të instaluara në kundërshtim me ligjin, në Shkodër, Fier dhe Korçë.

Ndërsa në rang kombëtar, shkon 528  numri i kamera të çmontuara dhe 109 numri i shtetasve në hetim.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit/Vijon operacioni policor i koduar “Fijet”.

Në kuadër të fazës së dymbëdhjetë të operacionit policor të koduar “Fijet”, vijojnë kontrollet në zona publike dhe në ambientet e shtetasve me precedent penal, të mbështetura dhe nga inteligjenca informative.

Gjatë kësaj faze, u çmontuan dhe u sekuestruan 20 kamera të tjera, të instaluara në kundërshtim me ligjin, në qarqet Shkodër, Korçë dhe Fier. 8 shtetas u vunë në hetim, për cënim të privatësisë dhe për të dokumentuar ligjërisht qëllimin përse ata i kishin instaluar këto kamera.

Në rang kombëtar, shkon 528  numri i kamera të çmontuara dhe 109 numri i shtetasve në hetim.

-Në Shkodër, në vende me frekuentim të lartë publik, në lagjet “10 korriku”,  “Ndoc Mazi” dhe “Guerrile”, janë çmontuar 10 kamera të instaluara në kundërshtim me ligjet e vendit. Për të dokumentuar ligjërisht qëllimin e vendosjes së tyre, janë iniciuar hetimet për shtetasit R. Z. dhe A. B. Në këtë qark, numri i kamerave të çmontuara deri më tani, është 89.

-Në qytetet Maliq, Bilisht dhe Pogradec, janë çmontuar në total 7 kamera dhe janë iniciuar hetimet për shtetasit E. D., A. B. dhe S. H. dhe N. Ll. Shtetasi N. Ll. (babai i shtetasit E. Ll., të shpallur në kërkim për vrasje) është përsëritës për montimin e kamerave në kundërshtim me ligjet e vendit. Më parë, janë çmontuar 10 kamera të cilat dyshohet se kontrolloheshin nga shtetasi N. Ll. Në total, deri më tani, në Korçë, janë çmontuar 61 kamera dhe janë iniciuar hetimet për 24 shtetas.

-Në Lushnjë, janë çmontuar 3 kamera të tjera të instaluara në kundërshtim me ligjet e vendit dhe janë iniciuar hetimet për shtetasit Sh.(S). K. dhe A. K. Në këtë qark, numri i kamerave të çmontuara deri më tani, është 23 dhe numri i shtetasve për të cilët janë iniciuar hetimet, është 7.

Kontrollet vijojnë në të gjitha qarqet.