Policia ka sekuestruar 30 kallëpe me lëndë plasëse tritol, 4 granata dore dhe 2 ndezës granatash në Vlorë.
Lënda shpërthyese është gjetur në një banesë të braktisur që sipas informacionit të policisë, u la atje pasi personi po ndiqej nga policia.
Ndërkohë policia nuk arriti të ndalonte personin e dyshuar i cili dyshohet se la çantën me lëndë shpërthyese në banesë.
“Pas informacionit të siguruar përmes inteligjencës policore, për një shtetas që lëvizte në lagjen “Isa Boletini”, Vlorë, dhe mbante një çantë brenda së cilës dyshohej se kishte sende të kundërligjshme, shërbimet e Policisë, bazuar fillimisht në informacione sipas të cilave dyshohej për lëndë narkotike, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, ku kanë bllokuar hyrje-daljet e lagjes dhe kanë vijuar kontrollin e imtësishëm, për të lokalizuar personin e dyshuar.
Gjatë kontrollit në një banesë të braktisur, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 30 kallëpe me lëndë plasëse tritol, 4 granta dore dhe 2 ndezës grantash, që dyshohet se i kishte braktisur si rezultat i presionit të policisë, personi që lëviste me çantë në këtë lagje.
Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, strukturat hetimore të DVP Vlorë dhe ato të Komisariatit të Policisë Vlorë vijojnë punën intensive për kapjen e poseduesit/ve të lëndës plasëse dhe zbardhjen e plotë të këtij rasti.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”-njofton policia.