Vendosni fjalën kyçe....

Blinken: Serbia dhe Kosova do të bëjnë kompromise të vështira


 

Udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës do të “bëjnë kompromise të vështira” për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilat do të sjellin siguri dhe prosperitet për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor, tha sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, përmes një letre drejtuar Serbisë me rastin e Ditës së Shtetësisë, më 15 shkurt, sipas REL.

Jam i bindur se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, do të sjellë siguri dhe prosperitet për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, liderët serbë dhe kosovarë do të bëjnë kompromise të vështira për t’i arritur këto qëllime, por shpërblimet për popullin serb – dhe gjithë rajonin – do të jenë të mëdha”, shkroi Blinken.

Në letrën drejtuar Serbisë në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thuhet se SHBA vlerëson partneritetin strategjik që kanë me Serbinë “për të çuar përpara një të ardhme më të qëndrueshme dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor”.

Sekretari Blinken, ndër tjerash, tha se SHBA janë një mbështetës i fortë i ambicieve të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si dhe përshëndeti “angazhimin konstruktiv të Serbisë me zyrtarët e SHBA-së, BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë gjatë një vizite të fundit në Beograd”.

Blinken gjithashtu i bëri thirrje Serbisë që të mbështesë Ukrainën kundër luftës së paprovokuar të Rusisë.

Presidenti rus Vladimir Putin dekoroi presidentin serb Aleksandër Vuçiç me urdhërin e lartë të Aleksandr Nevskit, pas takimit të tyre në Beograd, më 17 janar 2019.

 “Shtetet e Bashkuara mirëpritën mesazhet e Serbisë për mbështetjen e Ukrainës në Kombet e Bashkuara, dhe ne duhet të jemi të bashkuar në mbështetjen e të drejtës së popullit ukrainas për të zgjedhur të ardhmen e tyre”, tha sekretari amerikan i Shtetit.

Serbia është shteti i vetëm në Evropë që nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt.

Blinken në letrën e tij vuri theks edhe te Memorandumi i Mirëkuptimit për krijimin e pozicioneve ndërlidhëse për diplomatët serbë brenda Departamentit të Shtetit të SHBA-së.

Ky program unik jo vetëm që do të nxisë një kuptim më të mirë të synimeve dhe objektivave tona të politikës së jashtme përkatëse, por do të krijojë kanale të reja komunikimi dhe do të ndërtojë partneritete të qëndrueshme”, tha ai, duke përfunduar letrën me një urim për gjithë popullin e Serbisë.