Periudhës së luftës së ftohtë mes Haki Abazit dhe Albin Kurtit po i vjen fundi.
Haki Abazi ka njoftuar opinionin publik me anë të një statusi në Facebook se ka marrë vesh që kryeministri Kurti ka dhënë urdhër që ai të shkarkohet nga pozita e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë si dhe për heqjen nga Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asocim BE-Kosovë.
Abazi ka paralajmëruar një konferencë për shtyp ku do të flas në lidhje me çështjen në fjalë.
Ai ka paralajmëruar se do të diskutojë edhe për ato që i quan si “audio/video” inçizime dhe skandale tjera.
Sipas tij, Kurti po kërkon t’i mbulojë këto audio/video inçizime me urdhërin e dhënë për shkarkimin e tij.
Të gjitha këto ai i ka lajmëruar në një postim të vetëm në Facebook.
Deputeti Haki Abazi ishte zëvendës-kryeministër në Qeverinë Kurti II, dhe kishte marrëdhënie të mira me kryeministrin Kurti të paktën publikisht. Ai më pas do të bëhej edhe kandidat i Vetëvendosjes për zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, dhe ia doli të zgjidhej deputet. Por, marrëdhënia nisi të krisej në vitin 2022.
Abazi ka lajmëruar disa herë shumë kundërshti që ka pasur me shefen e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, znj. Mimoza Kusari Lila. Megjithatë, ai në këtë postim nuk ka treguar nëse do të vazhdojë që të jetë pjesë e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, apo qoftë edhe pjesë e kësaj partie politike që drejtohet nga ana e Albin Kurtit.
Në anën tjetër, ai nuk ka treguar as se për çfarë audio-inçizimesh apo video-inçizimesh apo skandalesh e kishte fjalën. Por, një gjë të tillë thotë se do ta zbulojë nesër në konferencë për media.
Ai ka kritikuar Kurtin në të kaluarën për mënyrën se si e kishte udhëhequr procesin dialogues me Serbinë, por edhe për mungesë të reformash në vend.
Abazi nuk ishte pjesë e asnjë subjekti politik para se të ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Nacional