Vendosni fjalën kyçe....

Kolumbianët dalin në rrugë për të protestuar kundër reformave të qeverisë së majtë


Opozita e Kolumbisë, e udhëhequr nga partitë e krahut të djathtë, bëri thirrje të mërkurën për mobilizime kundër reformës së kujdesit shëndetësor të propozuar nga qeveria e Gustavo Petro, i cili erdhi në pushtet gushtin e kaluar duke premtuar ndryshime gjithëpërfshirëse për të arritur barazinë në vend.

Mijëra njerëz marshuan në 12 qytete duke përfshirë kryeqytetin Bogota, Medellin dhe Cali të veshur me bluza të bardha dhe duke valëvitur flamurin kombëtar, duke brohoritur ‘​Jo më Petro, jo më reforma që heqin të drejtat e njerëzve’.

Demonstratat u zhvilluan një ditë pasi Petro thirri ndjekësit e tij për të dalë në rrugë për të protestuar në favor të reformës në shëndetësi, si dhe refrormave të pensioneve, drejtësisë e punës që ai njoftoi se qeveria do prezantojë së shpejti.

Presidenti i parë majtist i vendit prezantoi planin e kujdesit shëndetësor përpara Kongresit të hënën, duke përfshirë nismat për të promovuar një model parandalimi shëndetësor, rritjen e pagave për punëtorët në sektor, forcimin e spitaleve publike dhe rritjen e rolit të shtetit në kujdesin shëndetësor.

Reforma ka krijuar polemika në vend.

Ndërsa qeveria thotë se është një ligj që synon të përfshijë grupet historikisht të margjinalizuara në sistemin shëndetësor, opozita argumenton se ai është një kërcënim për stabilitetin ekonomik të vendit.

Një sondazh i publikuar pak ditë më parë tregoi se 63% e kolumbianëve nuk janë dakord me bërjen e një ndryshimi të madh që është parashikuar në reformën e qeverisë.

Mobilizimet e opozitës mblodhën shumë më tepër njerëz se sa ata të thirrur nga Presidenti Petro, i cili mbajti një fjalim të martën nga ballkoni i pallatit presidencial në prani të gruas dhe vajzës së tij.