Seanca e sotme parlamentare në asnjë moment nuk është zhvilluar brenda një normaliteti debati mes deputetëve të Kuvendit.
Çështja Mc.Gonigal dhe përjashtimi i deputetëve të opozitës e ka futur Kuvendit në një kaos të zhvillimit të debatit nën kakofoninë e replikave dhe fishkëllimave të deputetëve.
Në këtë seancë bilbilin e deputetit të përjashtuar Flamur Noka në seancën e mëparshme e ka marrë deputeti Edmond Spaho. Ky i fundit së bashku me disa deputetë të tjerë bllokuan foltoren dhe shkulën dhe mikrofonin e saj.
Kështu debati mes deputetëve për çështjet e rendit të ditës u zhvillua në kakofoni.
Në seancën e sotme plenare, mungojnë 12 deputetë demokratë që kanë shkaktuar kaos në seancat e shkuara. Ata janë Sali Berisha, Flamur Noka, Edi Paloka, Belind Këlliçi, Luçiano Boçi, Ina Zhupa, Albana Vokshi, Luan Baçi, Tritan Shehu, Ervin Salianji, Gazment Bardhi dhe Bledion Nallbati. PD e ankimoi vendimin e djeshëm për përjashtimin e 4 të parëve në Byronë e Kuvendit dhe deputeti Oerd Bylykbashi ka thënë se tashmë deri në shqyrtimin e kësaj kërkese vendimi i përjashtimit është i pezulluar ndaj edhe atyre i lind e drejta për tu futur në seancë. Por Garda e Republikës nuk i ka lejuar dhe deputetët i janë bashkuar protestuesve, teksa Byroja e Kuvendit është mbledhur dhe konfirmoi masën disiplinore. Berisha është bashkuar me protestuesit.
Në rendin e ditës të seancës së sotme është parashikuar të shqyrtohet kërkesa për shkarkimin e Lindita Nikollës si kryetare Kuvendi prandaj dhe seanca drejtohej nga nënkryetarja Ermonela Felaj.
Ndërkohë u vendos që mocioni për debat për çështjen McGonigal do zhvillohet më 2 mars ku nga shumica u pohua pjesëmarrja e Kryeministrit Edi Rama për t’iu përgjigjur 13 pyetjeve të opozitës.