Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se në janar 2023 numërohen 84 aksidente rrugore nga 107 të ndodhura në muajin Janar 2022.
“Numri i aksidenteve rrugore është ulur me 21,5%. Numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) rezulton 119 persona nga 147 persona të aksidentuar në muajin Janar 2022” thuhet në publikim.
Referuar arsyeve që kanë çuar në aksident të dhënat tregojnë se në shumicën e rasteve shkak është bërë sjellja e drejtuesve të mjeteve.
“Aksidentet rrugore, në 79,8% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç, duke zënë 33,3% të numrit të aksidenteve gjithsej. Numri i aksidenteve rrugore për këtë grup-moshë është ulur me 9,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë” thuhet në publikimin e INSTAT.
Ashtu sikurse perceptohet në përgjithësi dita e martë si një ditë “ters” duket se dhe për aksidentet në janar shumica kanë ndodhur në këtë ditë.
“Në muajin Janar 2023, duke iu referuar të dhënave të Aksidenteve sipas ditëve të javës, rezulton se gjatë ditës së Martë ka ndodhur numri më i lartë i aksidenteve, duke përbërë 26,2% ndaj numrit gjithsej të aksidenteve.
Numri më i lartë i aksidenteve ka ndodhur gjatë harkut kohor 08:00-12:00 duke përbërë 23,8% të numrit gjithsej të aksidenteve në muajin Janar 2023.
Aksidentet rrugore, në 20,2% të rasteve, në muajin Janar 2023 kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur me 15,0% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë” nënvizon INSTAT.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor