Vendosni fjalën kyçe....

Java e shtatë e protestave në Izrael mbi reformën gjyqësore të Netanyahut


Qindra demonstrues dolën në rrugë në Izrael për të shtatën javë radhazi për të protestuar kundër propozimeve të qeverisë për reformën në drejtësi.

Të hënën, anëtarët e Knesset do të mund të votojnë projektligjin, i cili synon të lejojë parlamentin të rrëzojë Gjykatën e Lartë të vendit me një shumicë të thjeshtë votash.

Mbrojtësit e reformës thonë se gjyqësori është shumë i politizuar dhe reformat do të rivendosin ekuilibrin në sistem, por protestuesit dhe shumë të tjerë e shohin këtë veprim si një sulm ndaj demokracisë.

Nuk kemi zgjidhje, nuk mund të dorëzohemi,” tha avokati Nati Ron, “ky është vendi ynë, kam bërë luftëra, kam humbur miq në luftëra, ata nuk kanë vdekur për këtë, ata nuk kanë vdekur për një shtet diktator, ua kam borxh, është më e pakta që mund të bë”j.

Ai shtoi se qeveria e Benjamin Netanyahu “po synon të shkatërrojë demokracinë që kemi pasur për 75 vjet” që nga themelimi i Izraelit, duke “anuluar gjykatat“.

Ndjej shpresë, por në të njëjtën kohë që ka kaq shumë njerëz këtu, por qeveria ende nuk do të dëgjojë zërat tanë,” shtoi një tjetër protestues, studenti i drejtësisë Amit Melamed.

Netanyahu u kthye në pushtet pas zgjedhjeve në nëntor, në krye të një koalicioni me partitë hebreje të ekstremit të djathtë dhe ultra-ortodoksë, por ai është ende në gjyq i akuzuar për korrupsion.

Kritikët e reformës në drejtësi thonë se ai mund ta përdorë atë për të rrëzuar një dënim të mundshëm.

Presidenti Isaac Herzog, i cili ka një rol kryesisht ceremonial, i kishte kërkuar qeverisë së Netanyahut të pezullonte procesin legjislativ dhe të zhvillonte bisedime me opozitën me shpresën për të arritur një kompromis.

Por ndërsa Netanyahu dhe anëtarët e tjerë të koalicionit të tij kanë shprehur gatishmërinë për të biseduar, ata refuzuan të ndalojnë legjislacionin, me parlamentin që do të nisë votimin për dy nga projektligjet e reja të hënën.