Kreu i Partisë së Lirisë Meta ka akuzuar qeverinë për mungesën e mbështetjes financiare për fermat blegtorale duke bërë që sektori vendas të mos mbulojë as kostot e prodhimit.
Ai thekson se numri i krerëve është përgjysmuar brenda 5-vjeçarit dhe vijon uljen pa u ndaluar. Meta nënvizon se Shqipëria prodhon më pa qumësht se çdo vend tjetër në Evropë me 41 litra për banor, ndërkohëqë Evropa e ka 1900 litra.
Ai shton se ulja në fjalë ka bërë që çmimet e bulmetit të rriten me 70% krahasuar me një vit më parë.
Në fund Meta shkruan se zbrazja e vendit është e lidhur qëllimisht me falimentimin e bujqësisë e blegtorisë duke theksuar se 14 maji është vendimtar për ndalimin e shpopullimit dhe ndryshimin.
“Mohimi i mbështetjes për fermat tona blegtorale, mungesa e mbështetjes financiare nga Qeveria për fermat dhe bagëtitë tona, ka bërë që sektori blegtoral vendas të mos mbulojë dot kostot e prodhimit.
Prandaj edhe numri i krerëve brenda një pesëvjeçari është thuajse përgjysmuar dhe vazhdon uljen e pandalshme. Shqipëria, prodhon sot më pak qumësht se çdo vend tjetër në Europë. Vetëm 41 litra qumësht nga bagëtitë për banorë, ndërkohë që në Europë kjo sasi shkon deri në 1900 litra qumësht për banorë. Kjo ulje e jashtëzakonshme e prodhimit vendas të qumështit, ka çuar në rritje me 70% të çmimeve të bulmetit për konsumatorin, në krahasim me një vit më parë. Qumështi ynë sot u shitet qytetarëve më të varfër të kontinentit, 30% më shtrenjtë se sa fqinjët dhe Europa. Fermerët dhe blegtorët duhet të dinë se shfarosja e programuar e bagëtive të vendit është ftesë për braktisje dhe largim të tyre. Zbrazja e vendit është e lidhur në veçanti me falimentimin e qëllimtë të Bujqësisë dhe të Blegtorisë. Ndaj 14 Maji është vendimtar për Ndryshimin dhe ndalimin e shpopullimit! #NdryshimMeCdoCmim.” – shkruan Meta.