Një 30-vjeçar shqiptar ka mbetur i vrarë mbrëmjen e të martës në një lokal në Athinë. Sipas mediave greke një grup prej shtatë shqiptarësh pasi kanë mbërritur në lokal kanë nisur të debatojnë mes tyre.
Si pasojë e tensioneve të ashpra, kanë dalë jashtë ambienteve të lokalit, ku kanë vazhduar të debatojnë sërish.
Në këtë moment një prej tyre ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar. Për pasojë është plagosur 30-vjeçari dhe nga plagët e marra ka humbur jetën.
Mediat greke shkruajnë se sipas informacioneve paraprake i riu shqiptari është vrarë aksidentalisht, pasi nuk ka pasur lidhje me grupin e shqiptarëve që u përleshën.
Menjëherë pas kësaj ngjarje të rëndë autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes. Oficerët e policisë kanë rrethuar zonën ku ende vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, dhe kërkimet për kapjen e autorëve.
Sakaq efektivët gjetën në vendin e krimit, një fuoristradë e tipit amerikan, 9 gëzhoja, një plumb të deformuar dhe një pistoletë 9 game.