Vendosni fjalën kyçe....

Financat përqendrojnë 44% të investimeve publike në dhjetor 2022


Qeveria shqiptare e ka bërë traditë që të shpenzojnë në muajin dhjetor gati gjysmën e programit vjetor të investimeve publike, duke cenuar efektivitetin e zërit me produktiv që ka buxheti për ndikimin në ekonomi, duke rrënuar moralin e përdorimit të taksave të rregulluar me ligj organik, udhëzime dhe urdhra.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në vitin 2022 fondet për investimet kapitale u realizuan në 112 miliardë lekë nga të cilat 49 miliardë lekë u disbursuan gjatë muajit dhjetor.

Siç shihet nga grafiku bashkëngjitur 44% e fondit vjetor të investimeve u alokua në një muaj. Nga një vëzhgim i pagesave ditore të thesarit në Ministrinë e Financave u pa se gjatë dhjetorit pagesat ditore nga thesari u dhjetëfishuan.

Përfituesit më të mëdha ishin kompanitë e ndërtimit që kishin kontrata me qeverinë kryesisht në rrugë, ujësjellës dhe mirëmbajtje.

Nga janar në nëntor 2022 shpërndaja mujore e investimeve publike ishte nga 1-8 miliardë lekë, ndërsa në muajin dhjetor ishte 49 miliardë lekë.

Tendenca për të përqendruar shpenzimet publike në dhjetor është e hershme në vendin tonë, por dy vitet e fundit është përforcuar (shiko grafikun bashkëngjitur).

Në vitin 2020 gati 25% e fondit të investimeve publike u përqendrua në dhjetor. Në vitin 2021 rreth 42 për qind e fondit vjetor të investimeve publike u dha në dhjetor, ndërsa në vitin 2022 rreth 44% e fondeve u alokua në dhjetor.

Qeveria i ka rritur ndjeshëm fondet për investimet në infrastrukturë të tilla si rrugë, ujësjellës dhe infrastrukturë dixhitale, por ndërkohë mungojnë produktet finale.

P.sh. në infrastrukturën rrugore, në akset e rëndësishme, si Kardhiq-Delvinë, Rruga e Arbrit, Qukës – Qafë-Thanë, Rruga e Kombit punimet kanë hyrë në dekadën e dytë dhe projektet nuk kanë përfunduar. Metodologjitë e FMN vlerësojnë se, nëse punimet në një objekt publik zgjasin më shumë se tre vjet, atëherë kostot e amortizimit janë shumë të larta.

Nëse punimet zgjasin më shumë se pesë vjet, investimi zhvlerësohet me 50% dhe kuptohet nëse zgjat më shumë se 10 vjet, investimi zhvlerësohet totalisht nga amortizimi i pjesës së përfunduar dhe investimeve të kryera të papërdorura.

Shembulli më tipik në këtë është Rruga e Arbrit, në të cilën qeveria shqiptare ka hyrë në vitin e 14 të ndërtimit të saj.

Projekti, i cili nisi në vitin 2008 me kosto fillestare rreth 75 milionë euro, me gjithë tenderët e fundit për skarpatet, pritet të arrijë mbi 38 miliardë lekë (350 milionë euro). Por ndërkohë që tuneli, vepra kryesore e rrugës ende është në ndërtim, shirat e ditëve të fundit kanë përkeqësuar investimet ekzistuese.

Për herë të parë pas 27 vitesh stoku i borxhit publik me ulje me 2022

Për herë të parë që nga viti 1995 stoku i borxhit publik shënoi ulje gjatë vitit 2022. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në vitin e kaluar stoku i borxhit publik arriti në 1,378,400 milionë lekë me një ulje 4,2 miliardë lekë (36 milionë euro) në raport me vitin 2021.

Stoku i borxhit gjatë një viti ra me 0.3 për qind duke e shënuar kështu kthimin e kurbës poshtë për herë të parë nga viti 1995.

Si rrjedhojë  ulje  ka pësuar edhe borxhi si raport me PBB që në fund të vitit 2022 arriti në 66,97 % të PBB-së me një rënie 6.2 pikë për qind në krahasim me vitin 2021.

Borxhi në raport me PBB ka shënuar luhatje nga viti në vit i ndikuar nga rritja ekonomike, por nuk ka qenë e zakonshme që të ulej ë vlerë. Këto zhvillimeve i dedikohen shlyerjeve të larta të principalit dhe interesave dhe mos realizimit të deficitit buxhetor.

Gjatë vitit të kaluar fondet për shërbimin e borxhit ishin rreth 78 miliardë lekë. Dhe në të njëjtën masë ishte edhe deficiti buxhetor.

Vitin e kaluar sektori fiskal i qeverisë pati zhvillime pozitive në drejtim te të ardhurave buxhetore. Në vitin 2022 arkëtimet u rriten me 12 për qind në krahasim me vitin 2021, pasi rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare ndikoi që prej tatimeve në përqindje të vileshin më shumë të ardhura.

Gjithsesi vendi ynë ka një nivel të lartë të borxhi në 67% të PBB ose 11.7 miliardë euro dhe shpenzimet buxhetore për shlyerjen e borxhit zënë një vend kryesor në shpenzimet buxhetore. Vlerësimet e FMN-së tregojnë se vendet me të ardhura të mesme si Shqipëria duhet të kenë një nivel borxhi rreth 45% të PBB-së.

Teoritë ekonomike e lidhin ngushtësisht ndikimin që borxhi publik ka në rritjen ekonomike. Sipas kritereve, vendet e BE-së vendosën në Traktatin e Mastrihtit në vitin 1992 si kufi maksimal 60% të PBB për borxhin publik të qeverive dhe 3% për deficitin buxhetor. Këto kritere janë të vlefshme për vendet e BE-së me një nivel më të lartë të zhvillimit, teksa ky kufi në vende si Shqipëria duhet të jetë më i ulët në mënyrë që borxhi publik t’i shërbejë rritjes ekonomike. Në Shqipëri, historia e borxhit publik nuk e justifikon qëllimin kryesor të huamarrjes publike.

Në dekadën e parë të tranzicionit, borxhi u rrit shumë më shpejt se ekonomia për shkak të krizës që u krijua në fillim të vitit 1990 nga kalimi i ekonomisë me model të centralizuar në ekonominë e tregut. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 1996-2000, ekonomia u zgjerua 176 miliardë lekë, ndërsa borxhi me 203 miliardë lekë. Në këtë periudhë, borxhi u rrit me 31% më shumë se rritja ekonomike.

Dekada e parë e tranzicionit u karakterizua nga disa ngjarje ekstreme si vitet e para të tranzicionit, ku deficiti buxhetor arriti mbi 30%, ndërsa ngjarjet e vitit 2997 me falimentin e skemave financiare çuan në humbje të larta në ekonomi. Pas stabilizimit që solli qeveria e stabilitetit në vitin 1997 dhe asistencës nga institucionet financiare ndërkombëtare, FMN dhe BB, treguesit makroekonomikë të vendit nisën të stabilizohen.

Masat fiskale që u morën në atë kohë, rritja e TVSH nga rreth 12% në 20% e përmirësuan bilancin fiskal, duke ulur deficitin buxhetor. Borxhi publik në këtë periudhë u përdor më së shumti për të financuar shpenzimet koherente të qeverisë dhe jo për investime.

Përfundimi i viteve 1990 dhe fillimi i dekadës së dytë të tranzicionit 2000-2010 përkon me një seri ngjarjesh që sollën stabilitet makroekonomik. Zhvillimi i vrullshëm i sektorit privat dhe hyrja në treg e investitorëve të huaj, nëpërmjet privatizimeve të telekomunikacioneve dhe bankave, ndikoi pozitivisht në dy drejtime borxhin publik.

Me krizën globale në vitin 2008, e cila dha ndikimin e vet në vendin tonë, stabiliteti makroekonomik nisi të dobësohej dhe pësoi goditje në mandatin e fundit të qeverisës në vitin 2013. Përpos krizës financiare ndërkombëtare, historia e krijimit të borxhit tregoi se vitet zgjedhore kanë impakt negativ.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor