Kreu i Partisë së Lirisë Meta ka ftuar në protestën e opozitës pedagogët dhe stafet akademike.
Në një shënim në Facebook ai shkruan se qeveria i injoroi kërkesat e pedagogëve për trajtim dinjitoz dhe në vend të kësaj i kërcënoi ata.
Meta thekson se stafet akademike në vend janë më të keqpaguarit në rajon.
Ai shkruan se ikja e të rinjve dhe intelektualëve në vend nuk do ndalet deri në largimin e ‘Rilindjes’, që e ka shpopullimin axhendë kryesore.
“Pedagogët iu rikthyen dje sërish protestës, sepse qeveria i injoroi kërkesat e tyre për paga dinjitoze dhe rritjen e financimit të kërkimit shkencor në arsimin e lartë. Në vend që të dëgjoheshin, u kërcënuan dhe u intimiduan nga qeveria e inceneratorëve që arsimin nuk e ka prioritet. Ndërkohë që pedagogët shqiptarë janë më të keqpaguarit në rajon, financimi për kërkimin shkencor është më i ulëti.
E kam mbështetur fuqimisht kërkesën e tyre për rritjen e pagave në nivele të krahasueshme me pedagogët e Kosovës. Nëse nuk përmbushen kërkesat e pedagogëve dhe studentëve, ikja e të rinjve dhe intelektualëve do të vijojë të zgjerojë plagën e shpopullimit, si pjesë e axhendës së “Rilindjes”. Ndaj i ftoj pedagogët dhe studentët t’i bashkohen sot protestës së opozitës! Llogaridhënie për injorimin e kërkesave të pedagogëve dhe studentëve! Bashkë jemi më të fortë!” – shkruan Meta.