Një gazetar i Spectrum News 13 u vra në Florida të mërkurën ndërsa raportonte nga skena e një vrasjeje që ndodhi më herët atë ditë. Tragjedia ndodhi gjatë një serie të shtënash, ku tre persona, mes tyre një vajzë e vogël, mbetën të vrarë dhe dy të tjerë u plagosën.
Policia fillimisht iu përgjigj të shtënave në zonën e Pine Hills, në veriperëndim të Orlandos, ku u vra një grua rreth të 20-ave. Ekipet e lajmeve mbërritën në vendngjarje për të mbuluar hetimin e vrasjes.
Sipas dëshmitarëve, të cituar nga Associated Press, në një moment më vonë atë ditë një person i armatosur iu afrua automjetit të lajmeve dhe hapi zjarr ndaj gazetarëve. Një gazetar u vra dhe një tjetër u shtrua në spital në gjendje kritike.
Më pas, personi i armatosur qëlloi për vdekje një vajzë nëntë vjeçare në një shtëpi aty pranë dhe plagosi nënën e saj, e cila gjithashtu mbetet në gjendje kritike, sipas raportimeve.
Policia ndaloi një 19-vjeçar të quajtur Keith Melvin Moses, i cili dyshon se është autori i të shtënave. Sherifi i Orange County, John Mina tha se Moses ka ‘një histori të gjatë kriminale’, duke përfshirë akuzat për armë, si dhe akuzat për vjedhje, sulm me armë zjarri dhe grabitje.
Motivet e të dyshuarit janë ende duke u përcaktuar, tha Mina. Sipas sherifit, Moses e njihte viktimën e parë, një grua rreth të 20-ave, por nuk kishte asnjë lidhje të dukshme me viktimat e tjera.
“Ne jemi thellësisht të pikëlluar nga humbja e kolegut tonë dhe jetëve të tjera të marra pa kuptim sot,” tha Spectrum News 13 në një deklaratë. Kanali televiziv më vonë e identifikoi gazetarin e vrarë si 24-vjeçarin Dylan Lyons.