Vendosni fjalën kyçe....

Librat ‘klasikë’ për fëmijë do botohen pas ‘debateve e akuzave’ për censurën


‘Penguin Random House’ ka zgjedhur të botojë versione të pa redaktuara të librave për fëmijë të shkrimtarit Roald Dahl, pasi kompania me bazë në Mbretërinë e Bashkuar rishikoi pasazhe në më shumë se një duzinë veprash për të pastruar gjuhën që konsiderohej fyese, duke nxitur akuza për censurë.

Botuesi njoftoi ndryshimin të premten, duke thënë se 17 nga librat e njohur për fëmijë të Dahl do dalin në formën e tyre origjinale, të pa redaktuar, përveç versioneve të përditësuara, të cilat përmbajnë seksione të ndryshuara që lidhen me tema të tilla si pesha, pamja, raca ose gjinia e një personazhi.

“Duke i vënë në dispozicion të dyja versionet, ne po u ofrojmë lexuesve zgjedhjen për të vendosur se si i përjetojnë historitë magjike dhe të mrekullueshme të Roald Dahl”, tha në një deklaratë Francesca Dow, drejtoreshë menaxhuese e librave për fëmijë në Penguin ‘Random House’.

Agjencia që kontrollon të drejtat për veprat e Dahl, ‘Roald Dahl Story Company’, fillimisht tha se ka punuar me ‘Penguin Random House’ për të ndryshuar librat për të siguruar që ‘tregimet dhe personazhet e mrekullueshme të Dahl vazhdojnë të shijohen nga të gjithë fëmijët sot’.

Megjithatë, ndryshimet në tregimet shumë të dashura nxitën akuza për censurë nga kritikët, mes tyre autori Salman Rushdie, i cili u përball me kërcënime me vdekje dhe një sulm të dhunshëm për romanin e tij të vitit 1988 ‘Vargjet Satanike’.

“Roald Dahl nuk ishte engjëll, por kjo është censurë absurde. Puffin Books duhet të ketë turp”, shkroi ai në Twitter.

Ndonëse ‘Roald Dahl Story Company’ argumentoi se redaktimet në libra ishin ‘të vogla dhe të shqyrtuara me kujdes’, dhjetëra ndryshime u vunë re në disa vepra, si ‘Charlie and the Chocolate Factory’. Zhurma publike për ndryshimet duket se ka qenë e mjaftueshme për të bindur ‘Penguin’ për të ndryshuar kursin.

Dahl shkroi një varg të gjatë librash të njohur për fëmijë përpara vdekjes së tij në 1990, mes tyre ‘James and the Giant Peach’, ‘Matilda’ dhe ‘The Big Friendly Giant’, duke shitur rreth 300 milionë kopje në mbarë botën.