Vendosni fjalën kyçe....

Kërcënimi ndaj deputetit shqiptar në parlamentin serb, Balla: Autoritetet serbe të hetojnë çdo përpjekje për intimidim


Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka reaguar pas denoncimit të deputetit shqiptar në parlamentin serb Shaip Kamberi, se ishte kërcënuar me jetë.

Balla shkruan se ka pasur një bisedë telefonike me Kamberin dhe u bën thirrje autoriteteve serbe që të hetojnë çdo kërcënim e intimidim të përfaqësuesit legjitim të shqiptarëe të Luginës së Preshevës.

“Kam komunikuar pak minuta më parë me deputetin Shaip Kamberi përfaqësues i Luginës së Preshevës në Parlamentin e Serbisë. I shpreha solidaritetin tonë të plotë ndërsa më informoi mbi kërcënimet kriminale që ai ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës së tij dhe i bëj thirrje organeve ligjzbatuese serbe të hetojnë çdo përpjekje dhe vepër penale për intimidimin e përfaqësuesit legjitim të shqiptarëve të Luginës në legjislativin e Serbisë. Këto kërcënime vijnë për shkak të detyrës së tij si deputet.

Me këtë rast rishpreh qëndrimin tonë në mbështetje të kërkesave të popullisë shqiptare të Luginës së Preshevës për eleminimin e dallimeve ekonomike, sociale e politike të cilat pengojnë pjesmarrjen efektive të shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë. Është shumë i rëndësishëm trajtimi i nevojave të tyre nga Qeveria e Serbisë në përputhje me parimet ndërkombëtare të respektimit të pakicave kombëtare. Gjatë bisedës telefonike vlerësuam intensifikimin e kontakteve për të vënë në jetë angazhimet e ndërmarra në funksion të përmirësimit të jetës së popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës.” – shkruan Balla.