Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi miraton riorganizimin e qeverisë në Maqedoninë e Veriut


Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të hënën pas mesnate ka votuar ndryshimet në Qeveri, respektivisht ka zgjedhur tre ministra nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, e cila është bërë pjesë e shumicës parlamentare.

Ministër i ri i Drejtësisë është zgjedhur Krenar Lloga, ministër i Shëndetësisë, Fatmir Mexheti, i Administratës Publike dhe Shoqërisë Informatike, Azir Aliu, dhe Kaja Shukova nga LSDM-ja është zgjedhur ministre e Ekologjisë.

Ndryshimet në Qeveri u votuan nga 65 deputetë nga 120 sa numëron Kuvendi.

Riorganizimi i Qeverisë së kryeministrit Dimitar Kovaçevski u bë pas vendimit të partive në pushtet, Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) për zgjerimin e shumicës parlamentar edhe për partinë Aleanca për Shqiptarët.

Pas zgjedhjes së ministrave të rinj, kryeministri Kovaçevski tha se riorganizimi i Qeverisë nuk është i motivuar me emra dhe mbiemra, me interesa partiake, por me forcimin e pozitës së shtetit ndërkombëtarisht, mbrojtjen e interesave kombëtare dhe bashkimin e partive për orientimin evropian të vendit.

“Qëllimi ynë është zgjerimi i shumicës parlamentare për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut… Ne, të gjithë, e kemi për detyrë të ndërtojmë një shoqëri siç u ka hije demokracive moderne, një shoqëri të integruar në Bashkimin Evropian. Për një jetë më të mirë dhe më të begatë për të gjithë qytetarët tanë. Prandaj, derisa unë jam kryeministër në Qeveri, dera do të mbetet e hapur për çdo deputet, për çdo parti politike dhe individ, me të cilët do të krijojmë një Maqedoni evropiane, sepse qytetarët tanë meritojnë të jetojnë në Bashkimin Evropian”, deklaroi Kovaçevski.

Por, shumica është zgjeruar me vetëm një deputet, pasi nga Qeveria u largua partia Alternativa për shkak të mosmarrëveshjes për ndarjen e posteve.

Debati për zgjedhjen e ministrave të rinj ka nisur më 13 shkurt dhe ka zgjatur dy javë për shkak të bllokimeve me fjalime të gjata nga deputetët e VMRO DPMNE-së.