Policia në Peru bëri një zbulim të befasishëm kur kontrolloi një person i cili ra në vëmendjen e tyre në një zonë arkeologjike në Puno.
Personi në fjalë, brenda çantës së tij frigoriferike kishte një mumje të lashtë, sipas BBC.
Burri tha se ai kishte qenë duke ndarë dhomën e tij me mumjen e fashuar dhe e konsideronte atë “një lloj të dashure shpirtërore”.
Eshtrat i kishte futur në çantë për t’ua treguar miqve të tij, tha ai.
Ai ka shpjeguar se “Juanitën”, siç i kishte vënë nofkën mumies, e ka mbajtur në një kuti në dhomën e tij, pranë televizorit. Ai shtoi se ishte në pronësi të babait të tij, pa specifikuar se si kishte ardhur në posedim të babait të tij.
Ekspertët thanë se trupi ishte midis 600 dhe 800 vjeç dhe se ishte i një mashkulli të rritur dhe jo një gruaje, siç kishte supozuar burri që u zbulua me të.
Mashkulli i mumifikuar vlerësohet të ketë qenë më shumë se 45 vjeç në kohën e vdekjes së tij dhe 1.51 m i gjatë (4ft 11 in).
Mumja ishte e mbështjellë me fasha në pozicionin e fetusit, i cili është tipik për shumë prej varrimeve parahispanike në zonë.
Mumifikimi praktikohej nga një sërë kulturash në atë që tani është Peruja përpara ardhjes së pushtuesve spanjollë. Disa mumie u varrosën ndërsa të tjerat u nxorën jashtë dhe parakaluan gjatë festivaleve kryesore.
Policia ka sekuestruar mumjen e mbajtur në çantën e frigoriferit dhe ia ka dorëzuar ministrisë së kulturës të Perusë, e cila kujdeset për trashëgiminë e vendit.
Burri që e transportonte atë dhe dy miqtë e tij, të cilët janë nga 23 deri në 26 vjeç, u arrestuan dhe po hetohen për krime të mundshme kundër trashëgimisë kulturore të Perusë.