Vendosni fjalën kyçe....

Blinken paralajmëron Kinën për pasoja nëse furnizon me armë Rusinë, përgjigjet Pekini: Ndaloni armatosjen e Ukrainës


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka paralajmëruar sërish Kinën për ‘implikimet dhe pasojat’ nëse ajo ndihmon me armë Rusinë në konfliktin e saj me Ukrainën. Diplomati i lartë amerikan i bëri komentet në Kazakistan të martën si pjesë e një turneu në vendet e Azisë Qendrore.

Blinken po takohet me përfaqësues të disa ish-republikave sovjetike këtë javë, duke përfshirë ata nga Kirgistani, Taxhikistani, Turkmenistani dhe Uzbekistani.

“Ne e paralajmëruam shumë qartë Kinën për implikimet dhe pasojat e dhënies së një mbështetjeje të tillë”, tha ai në një konferencë shtypi në Astana, pas takimeve me ministrin e Jashtëm kazak Mukhtar Tileuberdi dhe presidentin Kassym-Jomart Tokayev.

“Ne nuk do ngurrojmë, për shembull, të godasim kompanitë ose individët kinezë që shkelin sanksionet tona, ose janë të angazhuar ndryshe në mbështetjen e përpjekjeve të luftës ruse,” paralajmëroi ai, duke shtuar se ai do ta diskutonte çështjen ‘direkt’ me diplomatin e lartë kinez Wang Yi kur të takohen në Konferencën e Sigurisë në Mynih në fillim të këtij muaji.

Drejtori i CIA-s, Bill Burns, i tha CBS News të premten se agjencia ishte ‘e bindur se udhëheqja kineze po shqyrton ofrimin e pajisjeve vdekjeprurëse’ për Moskën për ta ndihmuar atë ushtarakisht në konfliktin e saj me Ukrainën, një akuzë të cilën Pekini e mohon. Javën e kaluar, Kina nxori një plan prej 12 pikash që detajonte një udhërrëfyes të mundshëm drejt paqes midis Rusisë dhe Ukrainës.

Duke folur të martën, Blinken paralajmëroi se çdo lëvizje kineze për të ndihmuar Rusinë do të krijonte një ‘problem serioz’ për marrëdhëniet SHBA-Kinë dhe do të dëmtonte shumë nga marrëdhëniet politike të Kinës në të gjithë globin.

Pekini nga ana e tij ka akuzuar Uashingtonin për hipokrizi dhe për nxitjen e konfliktit në Ukrainë duke dërguar armë me vlerë miliarda dollarë në Kiev.

“SHBA nuk ka të drejtë të diktojë marrëdhëniet Kinë-Rusi dhe ne kurrë nuk do të pranojmë detyrimin dhe presionin nga SHBA,” tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Mao Ning para gazetarëve gjatë një konference të hënën.