Udhëheqësja e Partisë së Gjelbër, Annalena Baerbock, ka krijuar një platformë për ‘politikën e jashtme feministe’, raportuan disa media të martën. Rinovimi i diplomacisë së Berlinit, që do bëhet publik më vonë këtë javë, do përfshijë ‘çështjet gjinore’ në gjithçka, nga ndihma humanitare dhe energjia te ndryshimet klimatike.
“Ne po ndjekim një politikë të jashtme feministe sepse është shumë e nevojshme. Sepse burrat dhe gratë ende nuk janë të barabartë në mbarë botën,” shkroi Baerbock, sipas Politico Europe.
Raporti prej 80 faqesh përshkruan 10 udhëzime kryesore, sipas agjencisë gjermane të lajmeve DPA. Midis tyre janë ofrimi i ndihmës humanitare ‘të ndjeshme ndaj gjinisë’, duke përfshirë ‘gratë dhe grupet e margjinalizuara’ në zhvillimin ekonomik dhe duke marrë parasysh dimensionin e ‘çështjeve gjinore’ të politikave klimatike dhe energjetike.
Masat synojnë të ‘formojnë punën tonë të brendshme dhe të na ndihmojnë të formojmë një ‘refleks feminist’, thuhet se shkroi Baerbock, duke argumentuar se një nga qëllimet e Ministrisë së Jashtme duhet të jetë ‘përparimi i matshëm i barazisë gjinore në mbarë botën’. Ajo gjithashtu dëshiron të krijojë një post të ri të ‘ambasadores për politikën e jashtme feministe’.
Megjithatë, sipas përkufizimit të saj, politika e feminizmit nuk është vetëm për gratë, por edhe për ato ‘të margjinalizuara nga shoqëria në bazë të identitetit gjinor, origjinës, fesë, moshës, paaftësisë, orientimit seksual apo arsyeve të tjera’.
Të Gjelbrit e Baerbock janë aktualisht në ‘koalicionin e semaforëve’ me socialdemokratët e kancelarit Olaf Scholz dhe Demokratët e Lirë. Megjithatë, opozita tashmë është tërhequr.
Kryeministri bavarez Markus Soeder, i cili kryeson partinë CSU, i tha Mediengruppe Bayern se plani i saj ishte ‘i pakuptueshëm’ dhe se ‘të udhëtosh nëpër botë dhe t’u tregosh të gjithëve se çfarë duhet dhe nuk duhet të bëjnë është e dënuar të dështojë’.
Soeder tashmë i ka bërë thirrje Scholz-it të shkarkojë Baerbock përpara se ajo të bëhet një ‘rrezik sigurie’. Ministrja e Jashtme ka bërë një sërë gafash jodiplomatike gjatë disa muajve të fundit, kryesisht në lidhje me konfliktin në Ukrainë, që thuhet se e shtynë zyrën e Scholz të mbajë ‘shënime të kujdesshme’ të gabimeve të saj.
Në mesin e shkurtit, Baerbock tha në Konferencën e Sigurisë së Mynihut se politika e Moskës duhej ‘të ndryshonte me 360 gradë’, duke bërë që ish-presidenti rus Dmitry Medvedev ta quante atë një ‘njohëse të gjeometrisë’.