Kolumbia planifikon të ‘zhvendosë’ rreth 70 nga të ashtuquajturit ‘hipopotamët e kokainës’ jashtë vendit, njoftoi të enjten guvernatori i Antioquia, Anibal Gaviria. Kafshët, padyshim trashëgimia më e çuditshme e lordit famëkeq të drogës Pablo Escobar, do dërgohen në Indi dhe Meksikë.
Aktualisht, Kolumbia ka një popullsi prej 130 deri në 160 hipopotamësh, tha Gaviria për Blu Radio. Rreth 70 nga kafshët, një përzierje e meshkujve dhe femrave, pritet të zhvendosen në Meksikë dhe Indi në gjysmën e parë të këtij viti, me vendin e fundit që do marrë 60 hipopotamë, tha guvernatori.
Hipopotamët do transferohen në shtëpinë e tyre të re me aeroplan, do vendosen brenda ‘arkave’ të ndërtuara posaçërisht, shtoi Gaviria. Operacioni është paguar kryesisht nga Nju Delhi, zbuloi ai, duke vënë në dukje se vendet e reja pritëse ‘kanë kapacitetin për t’i pranuar ato, për t’i pritur siç duhet dhe për të kontrolluar riprodhimin e tyre’.
Për sa i përket vetë Kolumbisë, transferimi do zvogëlonte në mënyrë drastike popullsinë e hipopotamëve, duke e bërë më të lehtë për qeverinë, e cila prej kohësh po lufton me këtë çështje, të kontrollojë kafshët e mbetura.
Autoritetet po kërkojnë të krijojnë një vend për hipopotamët në vend, sipas Gavirias, për të qenë në gjendje të ‘mbajë në mënyrë të sigurt kafshët, të kontrollojë riprodhimin e tyre dhe rreziqet për popullatën’.
Problemi i hipopotamëve në Kolumbi e ka origjinën në vitet 1980, kur Escobar kontrabandoi katër kafshë, një mashkull dhe tre femra, për kopshtin zoologjik privat në fermën e tij Hacienda Napoles, plot me specie ekzotike.
Pasi ‘mbreti’ i drogës u vra në një përleshje me policinë në vitin 1993, të gjitha kafshët, përveç hipopotamëve, u zhvendosën nga autoritetet, pasi gjitarët e mëdhenj u konsideruan shumë të rëndë dhe të vështirë për t’u transportuar.
Të mbetur vetëm, ‘hipopotamët e kokainës’ lulëzuan në klimën e lagësht dhe të ngrohtë të vendit, me popullsinë e tyre që shpërtheu dhe u përhap shumë përtej fermës së mëparshme të Escobar.
Kafshët janë bërë të njohura gjerësisht si ‘hipopotamët e kokainës’, duke u bërë menjëherë një rrezik mjedisor dhe një kërcënim vdekjeprurës për vendasit, si dhe duke e bërë Kolumbinë të vetmin vend jashtë Afrikës që ka një tufë hipopotamësh të egër.
Sipas një studimi, të publikuar në vitin 2021, numrat e hipopotamëve mund të ishin rritur deri në 1500 ekzemplarë nëse nuk do kontrolloheshin.
Në të njëjtën kohë, ambientalistët paralajmëruan kundër një transferimi të hipopotamëve në Afrikë, pasi ky veprim ka të ngjarë të sjellë më shumë dëm sesa mirë, si për vetë hipopotamët ashtu edhe për kafshët lokale afrikane, të ekspozuara potencialisht ndaj sëmundjeve të huaja.